Nderohen Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj në 26-vjetorin e rënies

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me pjesëtarë të kabinetit të tij, kanë bërë homazhe te varrezat e Heroit të Kombit, Ilir Konushevci dhe dëshmorit Hazir Malaj, me rastin e 26-vjetorit të rënies së tyre.

Kurti ka thënë se armët që i mbanin ushtarët e UÇK-së, ishin pushkët e komandant “Mërgimit”, nofkë kjo e bartur gjatë luftës nga Ilir Konushevci.

“Në vitet e 90-ta është dashur të bëhet shumë punë vetmohuese për luftë çlirimtare të suksesshme. Ushtarët dhe oficerët e UÇK-së kishin nevojë për furnizim, për organizim, për rekrutim dhe që të gjitha këto bëheshin nga disa njerëz fortë të veçantë të cilët e mundësuan luftën çlirimtare dhe lirinë e Kosovës. Në mesin e tyre ndër më të shquarit është komandanti Ilir Konushevci ‘Mërgimi’, i cili kishte një barrë të dyfishtë: Në njërën anë ai duhej që ta pasonte udhëheqjen e Zahir Pajazitit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili ra heroikisht në janar të vitit 1997, ndërkaq në anën tjetër duhej sa më shpesh, sa më tepër i ngarkuar të sillte armatim nga Shqipëria në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Tutje, Kurti ka theksuar se barra për Konushevcin ishte e dyfishtë, pasi ishte i ngarkuar për të sjellë armatim nga Shqipëria në Kosovë.

“Pushkët që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin pushkët e Ilirit, andaj kontributi i tij është i paçmueshëm sepse është i pamatshëm. Bashkë me doktor Hazir Malën, komandanti Ilir Konushevci është emër i artë në historinë moderne të Kosovës e cila është në themel të shtetit tonë dhe të lirisë sonë si popull”, shtoi Kurti.

Back to top button