Nderohet medalistja e bronztë e botës në boks, Donjeta Sadiku

Medalistja e bronztë e botës në boks, Donjeta Sadiku, sot është nderuar nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Boksit e Kosovës, për suksesin e arritur në Kampionatin Botëror të Femrave, të mbajtur në Stamboll të Turqisë.
Siç ka informuar Komiteti Olimpik i Kosovës, të pranishëm në sallën “1 Tetori”, ku sot janë zhvilluar edhe finalet e turneut “Lah Nimani”, kanë qenë edhe legjendat e boksit, të cilat kanë lënë gjurmë në vitet 70-ta dhe 80-ta.
Kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi ka vlerësuar lart suksesin e Donjetës, duke theksuar se kjo arritje ka ardhur edhe pas mbështetjes që KOK i ka dhënë Sadikut, derisa ka uruar që ky sukses të kulmojë edhe me podiumin olimpik Paris 2024.
Ndërsa, zëvendësministrja Daulina Osmani ka theksuar se traditën e boksit kosovar po e vazhdon një femër, e cila ia ka sjellur vendit medaljen e bronztë të botës.
Ndërkaq, Kryetari i FBOXK-së, Enver Krasniqi, po ashtu ka vlerësuar lartë suksesin e Donjeta Sadikut, duke i uruar fat dhe suksese të mëtejmë asaj dhe boksierëve tjerë.
Boksierja Sadiku, që të bronztën e fitoi gjatë kësaj jave në kategorinë deri në 60 kilogramë, është shprehur e lumtur me suksesin, të cilin ia ka dedikuar të gjithë Kosovës. Ajo ka theksuar se synimet e tanishme të saj janë Lojërat Mesdhetare Oran 2022, Kampionati Evropian, si dhe Lojërat Olimpike Paris 2024./21Media

Back to top button