Ndizen qirinj në përkujtim të viktimave të masakrës së Reçakut

Sot, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, përkujtohen civilët e vrarë 24 vjet më parë në fshatin Reçak, me ndezjen qirinjve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Qytetarë të shumtë i janë bashkëngjitur këtij aktiviteti në nderim të viktimave të gjenocidit në Kosovë.
Kryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, Bardhyl Mahmuti tha se dita e përkujtimit të viktimave të gjenocidit ka një numër të madh të aktiviteteve që kanë ndërmarrë si qendër “Gjenocidi në Kosovë- plagë e hapur” për të shënuar këtë ngjarje të rëndësishme në historinë e popullit tonë, sepse lidhet me një ngjarje tepër të trishtueshme që është një plagë e hapur për të gjitha vuajtjet që na ka shkaktuar politika e gjenocidit në Kosovë.
“Shteti serb jo vetëm që nuk njeh krimet e gjenocidit që ka kryer në Kosovë, përkundrazi aplikon një logjikë të mohimit permanent. Kjo logjikë e vazhdueshme e shtetit serb për të mohuar krimin dhe gjenocidin dhe për ta sjellë para drejtësisë të gjithë zinxhirin nga koka komanduese deri tek ekzekutorët para drejtësisë plaga jonë do të mbetet e hapur dhe ne e kemi për obligim të ngremë zërin aq sa kemi fuqi, sepse nuk mund të shtet krimi më i shëmtuar që ka ndodhur në fund të shekullit 20 me popullin shqiptar të Kosovës”, ka thënë ai.
Mahmuti tha se mobilizimi këtë vit është shumë më i suksesshëm sesa vitet paraprake.
Sot mund të themi se dita e gjenocidit të Kosovë është një ditë ndërkombëtare e dhimbjes së popullit shqiptar. Sot në orën 19:30 janë ndez qirinj për t’u përkujtuar të gjitha viktimat në të katër anët e globit dhe do të vazhdohet të ndizen qirinj në përputhje me orën 19:30 në vendet lokale. Në SHBA do të jenë disa orë më vonë dhe në vendet e tjera do të ketë gjithashtu në përputhje me orën lokale. Gjithkund ku ka shqiptarë në botë, por jo vetëm shqiptarë, sepse me iniciativën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, janë solidarizuar edhe shkrimtarë spanjollë e artisë spanjollë, regjisorë norvegjezë, edhe filozofë e realizatorë të ndryshëm danezë e Italinë. Kemi një mobilizim të gjithanshëm dhe ne si shqiptarë e kemi për obligim të ri-rreshtojmë të gjitha energjitë tona pa dallime partiake e ideologjike, rajonale, gjithkund ku jemi të mobilizohemi dhe të ngremë zërin për të ndëshkuar krimin e gjenocidit dhe të ndriçohen të gjitha aspektet e krimeve të gjenocidit, të ngremë zërin që të ngadhënjejë drejtësia”, ka thënë ai.

Back to top button