Do të ndryshohen procedurat operative të sigurimit parlamentar

Do të ndryshohen procedurat operative të sigurimit parlamentar

Si disa nga arsyet që shkaktuan incidentin në organin ligjvënës, theksohen një sërë lëshimesh në aktet ligjore në bazë të të cilave vepron sigurimi i kuvendit. Pas incidentit të javës së kaluar, kur pjesëtari i sigurimit të parlamentit nuk iu përgjigj thirrjes së kryetarit Talat Xhaferit për ta larguar nga foltorja parlamentare deputetin Vlladimir Gjorçev, kontrolli i brendshëm i MPB-së vendosi të bëjë ndryshime në procedurat operative, shkruan tv21.tv

“Është konstatuar se në aktet ligjore dhe nënligjore ekzistojnë lëshime të mëdha rreth procedurës dhe marrjes së masave ndaj deputetëve nga ana e zyrtarëve policorë që e sigurojnë kuvendin, në rastet kur cenohet rendi dhe qetësia në seancë. Prandaj, nga Sektori për mbrojtjen e personave dhe objekteve të caktuara pranë MPB-së në bashkëpunim me shërbimet parlamentare, është iniciuar procedurë për sjelljen e procedurave standarde operative për të vepruar në raste të këtilla”, nga MPB.

Se një pjesë e policëve nga Sektori për mbrojtjen e personave dhe objekteve të caktuara nuk ndërmorën asgjë kur më 27 prill turma hyri dhunshëm në Kuvend, kjo u konstatua edhe në raportin e grupit të ekspertëve të formuar nga ish ministri i brendshëm Agim Nuhiu. Ish kryeshefi në MPB, Lubomir Gjurçevski gjithashtu thekson se nevojitet harmonizim i akteve me të cilat rregulloren detyrimet e zyrtarëve policorë. Sipas tij, periudha e mospërputhjes së Ligjit për policinë nga viti 2007 me Rregulloren e sjellë në vitin 2011 është periudhë tejet e gjatë.

“Askush nuk dëshironte t’i shohë problemet e veprimit policor me ç ’rast në vitin 2012, policia u keqpërdor nga kryetari i atëhershëm i kuvendit kur miratohej buxheti dhe kur deputetët dhe gazetarët u nxorën jashtë me dhunë. Atëherë patëm tejkalim klasik të autorizimeve. Në atë kohë, dikush është dashur që t’i shohë aktet normative”, u shpreh Vlladimir Gjurçevski, ish kryeshef në MPB.

Në lidhje me incidentin me deputetin e VMRO-DPMNE-së Gjorçev, nga ministria e brendshme thonë se kundër zyrtarit policor nuk do të ngritet masë disiplinore meqë Sektori i kontrollit të brendshëm ka konstatuar se ai ka vepruar sipas rregullave dhe Rregullores së rendit të brendshëm të Parlamentit./21Media