Ndryshimi i standardit dhe i audiencës së lajmit

Recension nga Festim Rizanaj mbi librin “Media tradicionale përballë medias së re” të profesorit universitar Alban Zenelit, të publikuar nga OLYMP në Prishtinë, 2021.
Studimet në fushën e medias dhe komunikimit në përgjithësi përbëjnë sfidë për çdo studiues për shkak të mungesës së literaturës bazë si dhe studimeve elementare në këtë fushë. Prandaj, çdo iniciativë hulumtuese e marrë nga studiues të fushës së medias i bënë ata që të nisen me informacionet bazë për të arritur tek specifika e studimit. Libri i Alban Zenelit,  Media tradicionale përballë medias së re ofron një pasqyrë të gjerë si në aspektin teorik por edhe ofron një shembull të studimit në lidhje me fushën. Libri ka dal në pah nga punimi që është bërë në kuadër të studimeve të doktoratës në programin “Shkencat e Komunikimit dhe gazetarisë” në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Libri trajton raportin ndërmjet mediave të reja dhe atyre tradicionale në Kosovë, gjendjen e tyre dhe ndryshimin që ka ndodhë me to si pasojë e zhvillimit teknologjikë. Ky studim ofron gjetje në tre pika kryesore të cilat janë unike dhe të reja në studimet e komunikimit dhe medias në Kosovë, gjetje të cilat mund të ju shërbejnë studiuesve, gazetarëve dhe mediave, si dhe shoqërisë në përgjithësi. Pika e parë paraqet ndryshimet që kanë ndodhë në përmbajtjen e lajmeve, respektimin e standardeve profesionale të raportimit në gazetari. Pika e dytë, vë në pah ndryshimet që kanë ndodhë me audiencën në raport me përdorimin, besueshmërinë dhe përvojën me lajmet e rreme në llojet e ndryshme të medias. Pika e tretë e trajton aspektin ligjor dhe vetërregullues të mediave në rastin e Kosovës.
Kronologjia e librit
Alban Zeneli librin e ka nda në gjashtë kapituj. Kapitulli i parë ofron kornizën teorike duke shpalosur teoritë kryesore të komunikimit dhe mediave duke filluar nga propaganda, Shkolla e Frankfurtit, studimet neomarksiste, Shkolla e Torontos, studimet semiotike të medias, teoritë për shtypin, radion, televizionin, për mediat e reja dhe rrjetet sociale. Të githa këto teori janë shpalosur dhe trajtuar duke u bazuar në rolin dhe këndvështrimet që ofrojnë këto teori në lidhje me mediat (shtypin, radion, televizionin dhe mediat e reja) dhe procesin e komunikimit në përgjithësi. Në këtë kapitull shpaloset një perspektivë historike e zhvillimit të mendimit teorik mbi median duke filluar me studimet e para të Lasëellit për propagandën, për të vazhduar me Theodor Adornon, Max Horkhaimer e Herbert Marcuse nga Shkolla e Frankfurtit, Marshall McLuhan nga Shkolla e Torontos, Roland Barthes në semiotikë të medias, Stuart Hall në studimet kulturore, Sartori, Zecchi, Bourdie mbi televizionin, si dhe Eco, Papacharissi e Dean mbi rrjetet sociale. Mungesa e literaturës bazë mbi teoritë e medias në gjuhën shqipe e bënë këtë kapitull të librit të rëndësishëm për student që duan t’i studiojnë këto teori.
Kapitulli i dytë trajton kontekstin historik të zhvillimit të komunikimit dhe mediave në Kosovë, duke u nisur nga teksti i parë i botuar në gjuhën shqipe, teorinë gjeografike dhe teorinë e mungesës së institucioneve si indikator të vonesës së shkrimit të gjuhës shqipe në tekste. Më tej trajtohet periudha e gazetave dhe radiove të para, për të vazhduar me gjendjen e televizionit gjatë represionit të Serbisë. Po ashtu në këtë kapitull trajtohet pluraliteti medial në shtetin e Kosovës duke filluar nga viti 1999 si dhe sfidat e rregullimit dhe vetërregullimit të këtij tregu. Karakteristikë e këtij libri është se ofrohen të dhëna me referenca mbi zhvillimin e mediave të reja ose portaleve, ku edhe përbënë referencë bazë informative mbi lindjen dhe zhvillimin e mediave të reja në Kosovë.
Kapitulli i tretë trajton mënyrën e raportimit nga katër lloje të mediave në një korpus të lajmeve të zgjedhura në mënyrë sistematike. Kapitulli ofron një përmbledhje të teorive që rrënjët i kanë në studimet funksionaliste të Herbert Gansit për mediat. Brenda këtij kapitulli, trajtohen format e raportimit të tri televizioneve në raport me standardet dhe profesionale ose vlerat e lajmit duke ofruar gjetje për format e raportimit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Televizionit Kohavision (KTV) dhe Televizionit 21. Po ashtu, gazetat Koha Ditore, Epoka e Re dhe Kosova Sot janë trajtuar në këtë kapitull të studimit duke ofruar gjetje në raport me zbatimin e standardeve profesionale. Po ashtu në këtë kapitull analizohen edhe lajmet e radiove, si shembull Radio Kosova 1, Radio 21 (RTV 21). Pjesë e hulumtim janë edhe portalet gazetaexpress.com, telegrafi.com si dhe lajmi.net.
Në kapitullin e katërt, trajtohet aspekti i qasjes së audiencës ndaj ndryshimeve në media, përdorimin e llojeve të ndryshme të medias, besueshmërinë e publikut ndaj mediave dhe shpeshtësinë e përdorimit të tyre. Të dhënat mbi këto janë të bazuara në anketimin e 1051 respondentëve nga e gjithë Kosova.
Kapitulli i pestë trajton aspektin ligjor, rregullues dhe vetërregullues. Si dhe në kapitullin e fundit ofrohen rezultatet e gjetura, vërtetimi i hipotezave dhe përfundimet e nxjerra nga hulumtimi.
Lajmi, audienca dhe rregullimi
Definicioni më i përgjithshëm i nocionit lajm thjesht do të ishte: Lajmi është informacion që vlen të publikohet. Edhe pse gazetarët nuk mund t’i definojnë lehtë lajmet, shumica prej tyre pajtohen me karakteristikat e tyre. Alban Zeneli, hulumtimin e tij e fokuson në disa vlera të lajmit: dobia dhe rëndësia, raportimi i fakteve dhe rregulli i moskomentimit, pesë pyetjet (kush, kur, ku, çka, si dhe pse), balancimi dhe verifikimi.
Alban Zeneli në studimin e tij arrin në rezultatet ku thekson se në bazë të mostrës hulumtuese RTK-ja me përjashtime të vogla ka zbatuar disa nga standardet profesionale dhe përmbajtjet janë dominuar nga lajmet protokollare. Njëkohësisht, faktet brenda lajmeve në RTK nuk ju kanë nënshtruar verifikimit dhe më tepër se gjysmën e lajmeve të trajtuara nuk është bërë i qartë dallimi në mes të lajmit dhe komentit. Nga ana tjetër, në televizionin Kohavision (KTV) është vërejtur zbatim i standardit të rëndësisë dhe dobisë shoqërore por qëllimi përmbajtësor i lajmeve – informimi – është ngatërruar me komentet e autorëve të lajmeve në shumicën e lajmeve të trajtuara. Gjetjet sugjerojnë që lajmet e transmetuara në këtë televizion kanë ngecur në dallimin e komentit nga informacioni, balancimin e lajmeve dhe verifikimin e fakteve në mënyrë të pavarur nga ana autorëve. Ndryshe, lajmeve të transmetuara në RTV 21 ju ka munguar standardi i raportimit të balancuar dhe lajmet kanë përmbajtur komente duke mos e bërë të qartë për publikun dallimin në mes informacionit si qëllim përmbajtësor i lajmit dhe komentimin e autorëve.
Nga ana tjetër, sipas Zenelit, raportimi i gazetave është karakterizuar me zbatim të lartë të standardeve të matura në këtë punim. Gazeta Koha Ditore, në raportimin për ngjarje të rëndësishme lajmet përmbushin në të gjitha tekstet standardin e balancimit të informacioneve, rregullin e moskomentimit dhe përgjigja në pesë pyetjet kryesore, por mungon verifikimi i fakteve nga gazetarët. Po ashtu, gazeta Epoka e re, ka përmbushur standardin e raportimit për ngjarje të rëndësishme, dobinë shoqërore si dhe u janë përgjigjur pesë pyetjeve kryesore të raportimit në gazetari. Ndërkaq, gazeta Kosova Sot karakterizohet me përmbushjen e standardeve të rëndësisë dhe dobisë nga raportimi, por kanë mungesë të theksuar të zbatimit të standardit të balancimit të informacioneve nga palët.
Në rastin e Radio Kosovës, lajmet e trajtuara të cilat kanë qenë korpus i studimit kanë përmbushur standardet e raportimit për ngjarje të rëndësishme dhe dobinë shoqërore. Mirëpo, raportimi dhe verifikimi i fakteve ka mbetur në nivelin e distancimit të gazetarit dhe jo në mënyrë të pavarur të tyre. Njëkohësisht, lajmet e transmetuara kanë përmbushur standardin e balancimit të palëve gjatë raportimit.
Ndryshe, sipas gjetjeve portalet karakterizohen me mungesë të respektimit të standardeve profesionale. Në portalin gazetaexpress.com lajmet edhe pse përmbushin vlerën e raportimit për ngjarje të rëndësishme dhe me dobi shoqërore atyre ju mungon përgjigja në pesë pyetjet kryesore dhe po ashtu nuk e përmbushin standardin e balancimit të informacioneve brenda lajmeve. Nga ana tjetër, telegrafi.com lajmet nuk përmbushin kriteret e balancimit të lajmeve dhe ju mungon verifikimi i fakteve. Ndryshe, edhe lajmet e publikuara në portalin lajmi.net karakterizohen me standardin e dobisë dhe rëndësisë së ngjarjes por ju mungon balancimi brenda lajmit.
Zhvillimi teknologjikë dhe dalja në skenë e mundësive të reja të publikimit dhe shpërndarjes së informacionit ka ndikuar edhe në ndryshimin e qasjes në informacione. Në bazë të hulumtimit të realizuar nga Alban Zeneli, mediat e reja përdoren më së shumti, ndërsa kemi një përdorim të ulët të formave tradicionale të medias siç janë gazetat dhe radiot. Televizioni ende mbetet një medium të cilit respondentët i kushtojnë kohë të rëndësishme gjatë ditës. Shfaqja e mediave online, lehtësia e përdorimit të tyre dhe qasja e lartë në internet ka ndikuar që audienca të ndryshojë mediumet prej nga informohet dhe ndërvepron. Ky rezultat krahasues tregon një trend shume të lartë të kohës që kalojnë respondentët tek mediat e reja dhe vetëm një numër i vogël i tyre kanë qëndruar “besnik” në mediat tradicionale në rastin e Kosovës.
Sipas Zenelit, njëra nga arsyet e përdorimit më shumë të rrjeteve sociale nga ana e respondetëve është përdorimi i shumëfishtë, për informim, argëtim, komunikim dhe kalim të kohës së lirë. Por, besueshmëria në llojet e ndryshme të mediave siç duket nuk ka ndryshuar me avancimin teknologjik. Sipas të dhënave të hulumtimit, televizioni mbetet si njëri nga burimet më të besueshme për respondetët e këtij hulumtimi. Sa i përket lajmeve të rreme, në bazë të rezultateve theksohet se lajmet e rreme janë shumëfish më të përhapura në mediat e reja, e sidomos në rrjetet sociale sesa në media tradicionale siç është gazeta, radio dhe televizioni. Bazuar në këtë, sa i përket mediave të reja rrjetet sociale janë përhapëse me të mëdha të lajmeve të rreme duke u pasuar nga mediat online-portalet. Ndërkaq, në mediat tradicionale, radiot kanë përhapje më të madhe të këtij fenomeni, pasuar nga gazetat, e në fund nga televizioni.
Sa i përket aspektit ligjor, në rastin e ligjeve dhe akteve tjera vetërregulluese në Kosovë vërehet një mungesë e përditësimit të tyre në kuadër të zhvillimit të teknologjisë. Ligjet dhe aktet vetërregulluese në Kosovë nuk përfshijnë problemet e përmbajtjeve në rrjetet sociale edhe për shkak të kohës në të cilën janë miratuar. Prandaj, në asnjë ligj të Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM) dhe Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës nuk ekziston ndonjë nen specifik që i referohet rregullimit të publikimeve në rrjetet sociale.
Përveç bazës kushtetuese të operimit, media në Kosovë në aspektin e ligjeve janë një ndarje në mes të rregullimit nga një organ që është kategori kushtetuese, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) që rregullon spektrin e frekuencave për radio dhe televizionet dhe shërbimet kabllore të televizioneve, dhe mediat e shkruara, mediat dhe portalet vetërregullohen përmes Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
Konkluzione
Alban Zeneli në hulumtimin e tij mundohet të krahasojë ndryshimet në vlerat e lajmit dhe standardet profesionale duke i krahasuar mediat tradicionale me mediat e reja në Kosovë. Qëllimi i këtij krahasimi është që të vendos përballë medias së re, të gjitha mediat tradicionale, pra të krahasoj ndryshimin në mes raportimit të gazetës dhe portalit, radios dhe portalit si dhe televizionit dhe portalit.
Sipas Zenelit, krahasimi në mes gazetës, radios, televizionit me portalet për nga zbatimi i standardeve të raportimit nxjerrë një rezultat në favor të mediave tradicionale. Shumica e teksteve në gazeta lajmet e transmetuara në radio e televizion e kanë përmbushur standardin e raportimit për ngjarje të rëndësishme. Tek rasti i portaleve, për shkak të mungesës së kufizimit të hapësirës standardi për ngjarje të rëndësishme nuk përmbushet. Ndarja e informacioneve dhe komenteve është bërë e qartë në gazeta, radio dhe televizion ndërkaq portalet qëndrojnë më dobët në këtë aspekt. Po ashtu edhe në balancimin e lajmit gazeta, radio dhe televizioni ka respektuar në shumicën e rasteve përderisa portalet vetëm në raste të rralla nga mostra studimore. Verifikimi i informacioneve në mënyrë të pavarur nga ana e gazetarëve ka munguar si në gazeta, radio, televizion po ashtu edhe në portale.
Nëse e krahasojmë zbatimin e standardeve profesionale në mediat tradicionale, gazetë , radio dhe televizion, krahasuar me zbatimin e tyre në rastin e mediave online-portaleve, mund të vërejmë një dallim relativisht të madh. Derisa tek mediat tradicionale me raste ka moszbatim të ndonjërit nga standardet në rastin e portaleve kemi përjashtim të tërësishëm të standardeve. Sipas Zenelit, faktorët të cilën mund të kenë ndikuar në mungesën e respektimit të këtyre standardeve nga ana portaleve janë: koha e botimit dhe gara për shpejtësi.
Sa i përket qasjes së audiencës ndaj ndryshimeve në media, përdorimin e llojeve të ndryshme të medias, besueshmërinë e publikut ndaj mediave dhe shpeshtësinë e përdorimit. Në bazë të hulumtimit mediat e reja kanë një përdorim të lartë (portalet dhe rrjete sociale), krahasuar më një përdorim të ulët të mediave tradicionale siç janë gazetat dhe radiot. Por, televizioni ende mbetet një medium të cilit i kushtojnë kohë të rëndësishme gjatë ditës. Sa i përket besueshmërisë mediat tradicionale janë më të besueshme në krahasim me mediat e reja (portale dhe rrjetet sociale).
Libri Media tradicionale përballë medias së re me autor Alban Zenelin i shtohet literaturës së mangët në studimet mediale. Libri sjellë në vëmendjen tonë ndryshimin e pësuar të prodhimit të lajmit në bazë të vlerave dhe qasjes në të nga mediat tradicionale në mediat e reja. Ky libër sigurisht se do tu shërbejë studentëve dhe studiuesve të fushës për shkak se ofron një qasje teorike të pasur si dhe një hulumtim unik dhe shembull në lidhje me studimet e medias.

 
 

Back to top button