Në 6 barnatore gjenden produkte pa banderola, mbyllet njëra prej tyre dhe arrestohen tre persona

Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një operacion në rajonin e Pejës sipas Planit Operativ të përcaktuar, ku janë kontrolluar dhjetë subjekte biznesore – barnatore.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike sot ka zhvilluar një operacion në rajonin e Pejës sipas Planit Operativ të përcaktuar, ku janë kontrolluar dhjetë subjekte biznesore – barnatore për të cilat ekzistonte dyshimi i arsyeshëm se të njëjtat biznese janë duke shitur produkte farmaceutike pa banderola, dhe të njëjtat produkte dyshohet se janë të kontrabanduara dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ky operacion ka qenë i koordinuar së bashku me Doganën e Kosovës (Njësia e Antikontrabandës) dhe Inspektorët Farmaceutik nga Ministria e Shëndetësisë.

Tutje në njoftimin bëhet e ditur se janë kontrolluar dhjetë barnatore ku në gjashtë prej tyre është gjetur sasi e konsiderueshme e produkteve farmaceutike pa banderola.

Biznesi 1, në tri njësi janë gjetur: 398 lloje të barnave pa banderola, 40 copë barna me banderola të falsifikuara, një produkt narkotik pa licencë. Të njëjtit biznes i është lëshuar vendimi nga inspektorati farmaceutik për mbyllje të biznesit pasi që ka qenë duke punuar pa farmacist përgjegjës; Biznesi 2, në dy njësi janë gjetur: 203 lloje (produkte) medicinale pa banderola; Biznesi 3, në një njësi janë gjetur: 80 lloje (produkte) medicinale pa banderola.

Tre pronarë të bizneseve-barnatoreve janë shoqëruar në Stacion Policor dhe janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve lidhur me veprat penale të cekura më lartë.

Në disa barnatore janë pronarët e njëjtë të disa barnatoreve në qytetin e Pejës.

“Është konfiskuar sasia e barnave pa banderola që dyshohet se janë të kontrabanduara, me procedura të cilat do të merret më tutje njësia e Antikontrabandës nga Dogana e Kosovës, kurse Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike (SHKE-DHKEK) nga Policia e Kosovës procedon lëndën në aspektin penal pranë Prokurorisë kompetente”, thuhet në njoftim.

Pas intervistimit personat e dyshuar me urdhër të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Pejë janë liruar në procedurë të rregullt, kurse rastet iniciohen për “Prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore” dhe “Kontrabandim të mallrave”./21Media

Back to top button