Në Janar vijnë ekspertët gjermanë në Kosovë për sigurimet shëndetësore

Ministri Ismaili pranon letrën e ministrit të Gjermanisë, Jens Spahn

Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Uran Ismaili, ka pranuar një letër zyrtare nga homologu i tij gjerman, Jens Spahn. Përmes kësaj letre, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn ka konfirmuar gatishmërinë e shtetit gjerman për ndihmë ndaj Kosovës në krijimin e sigurimeve shëndetësore.

Gjatë një konferencë për media të mbajtur sot nga Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, Ministri Ismaili ka thënë se kjo marrëveshje e bashkëpunimit është një hap i madh drejt realizimit të sigurimeve shëndetësore.

“Një ditë jashtëzakonisht e mirë dhe e rëndësishme për shëndetësinë kosovare. Tani po nisim bashkëpunimin konkret me Gjermaninë për të funksionalizuar Fondin e Sigurimit Shëndetësor, projekt ky që buron nga marrëveshja e nënshkruar në korrik me ministrin gjerman Spahn”, ka thënë ministri Ismaili. Sipas Ministrit Ismaili projekti do të ndahet në dy faza, e para nga të cilat do të fillojë në janar të vitit 2020.

Në anën tjetër, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt,  ka thënë: “Jemi krenarë që pas punës intensive të të dy ministrive tona të shëndetësisë, janë harmonizuar hollësitë e bashkëpunimit tonë në ngritjen e Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës. Ne jemi të bindur që me një përkushtim të madh të Qeverisë së Kosovës dhe punën e përbashkët të të gjithë akterëve të përfshirë, mund të arrihet përparim thelbësor për qytetarët”.

Bashkëpunimi në mes të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës dhe Fondit të Sigurimit Gjerman, AOK, i cili do të nis menjëherë në janar të vitit 2020, është një rezultat konkret i një Memorandumi të përbashkët të mirëkuptimit, që u nënshkrua në korrik të këtij viti./21Media

Back to top button