Tony Blair kritikon laburistët

Blair  ka bërë thirrje për t’i marrë kontrollin liderit Jeremy Corbyn

Ish kryeministri i Britanisë së madhe dhe ish kryetari i Partisë Laburiste, Tony Blair i ka bërë thirrje zyrtarëve të lartë të kësaj partie për t’i marrë kontrollin liderit Jeremy Corbyn të cilin e akuzoi për dështim në drejtimin e punës. Gjatë një takimi të laburistëve të martën, Blair tha se Corbyn mban përgjegjësi për performancën më të keqe elektorale të laburistëve që nga viti 1935.

“Laburistët duhet ta përmirësojnë veten si garues seriozë, përparimtarë dhe jo-konservatorë për ta marrë pushtetin në politikën britanike ose të heqin dorë nga kjo ambicie. Rezultati na ka turpëruar”-tha Blair.

Ai tha se lideri i deritashëm i partisë e ka personifikuar idenë e socializmit të ngjashëm me revolucionarizmin, duke i përzier politikat ekonomike të së majtës ekstreme me armiqësi të thellë ndaj politikave të jashtme perëndimore.

Blair tha se qëndrimi i ndërlikuar i Corbyn ndaj Brexit kishte krijuar pakënaqësi si tek kundërshtarët ashtu edhe tek avokatët e largimit të Britanisë nga BE-së.

Ndërkohë, lideri në dorëheqje i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, i cili pritet të largohet nga posti i kreut të opozitës në janar, ka bërë thirrje për një periudhë të reflektimit pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme edhe pse tashmë ka filluar beteja për marrjen e kontrollit në parti.

Laburistët mbështetës të Corbyn-it, përkrahës të së majtës ekstreme, nuk pritet të heqin dorë lehtë nga pozitat e larta- shkruan Reuters.

Laburistët fituan 203 vende në zgjedhje dhe panë një ulje të votimeve me 7.8%, ndërsa Konservatorët e kryeministrit Boris Johnson fituan 365 vende, me 43.6% të votave.

Back to top button