Në Krushë të Madhe u shënua dita e gjenocidit serbë kundër shqiptarëve

 

Në Krushë të Madhe sot u shënua dita e gjenocidit serbë kundër popullit shqiptar. Në kompleksin memorial të këtij fshati u bënë homazhe, ku u kërkua që kryesit e gjenocidit ndaj qytetarëve të Kosovës të vihen para drejtësisë.

Edhe në këtë ditë u quajt e padrejtë dhe paradoksale që çlirimtarët e Kosovës të jenë në burgjet e Hagës, kurse kriminelët serbe të lëvizin të lirë.

Zëvendëskryeministrja në detyrë e Kosovës, Albulena Balaj tha se sot kur por shënohet dita e Gjenocidit në burgje e Hagës qëndrojnë çlirimtarët të cilët vendit ia dhanë lirinë. Ajo u shpreh se të gjithë dëshmorët martirët dhe invalidët e luftës do kujtohen përgjithmonë.

Kurse, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi u shpreh se nga Krusha e Madhe po kujtojnë të rënët e 10 masakrave në këtë komunë por edhe në gjithë Kosovën, dhe po kërkojnë që përgjegjësit e këtij gjenocidi të vihen para drejtësisë.

Latifi tha se është padrejtësi e shekullit që themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë në burgje dhe po synohet edhe dënimi i tyre nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuara.

Përfaqësuesi i Krushës së Madhe, Selami Hoti tha se sot po përkujtojnë të gjithë të rënët në masakrat e komunës së Rahovecit. Hoti kërkoi qe të punohet më shumë dhe para drejtësisë të vihen kriminelët që kanë kryer këto krime, por shprehu pakënaqësi për punën e gjyqësorit që po bënë karshi dënimeve të kriminelëve që kanë kryer krime në Kosovë.

Ai kërkoi që t’i bëhet më shumë presion shtetit serbe që të tregojë për fatin e të pagjeturve. Ai deklaroi se në Krushë të Madhe janë edhe 64 të pagjetur.

“Kërkojmë nga të gjitha instancat politike jo vetëm të Kosovës por mbarë kombit shqiptar të bëhen bashkë dhe të punojnë e t’i lënë anash inatet politike me një qëllim të mirë që njëherë e përgjithmonë jo vetëm që të mbyllet kjo plagë e rëndë e të pagjeturve sikurse është rasti i Ukshin Hotit e Fahri Hotit por të punohet dhe gjithë kjo çështjen para gjyqit dhe para drejtësisë t’i vendosë kriminelët të cilët vazhdojnë të jetojnë të lirë. Deri tani kemi pasur një adresë se UNMIK-u apo EULEX-i nuk ka bërë punën e drejtë por tani kemi telashe edhe me administratën tonë shtetërore me gjykatat tona të cilat edhe kësaj radhe në vend qe ta dënojnë agresorin merren me viktimën”, tha ai.

Sot kur po shënohet 15 janari Dita e Gjenocidit Serbë në Kosovë homazhe po bëhen edhe në Recakë ku po përkujtohen masakra, e cila bëri jehonë dhe ngriti vetëdijen ndërkombëtare për të intervenuar në Kosovë.

Back to top button