Në Maqedoni sot temperaturat do të arrijnë deri në 41 gradë

Gjashtë rajonet-rrethina e Shkupit (në veri të Vardarit), rajoni i Osogovës-Maleshevës, jugu i Vardarit, Pellagonia dhe Ohër-Prespë prej sot janë kapluar nga temperatura të larta në fazën portokalli. Situata me valën e të nxehtit, siç njoftoi Ministria e Shëndetësisë, vlen në gjithë territorin e shtetit.
Sipas parashikimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, moti sot do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira të vogla deri mesatare lokale. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 14 deri 23 ndërsa ajo maksimale prej 34 deri 41 gradë.
Për shkak të valës së nxehtësisë, Qeveria publikoi disa rekomandime, në mesin e të cilave edhe lirimin nga obligimet e punës të grupeve më të ndjeshme të popullsisë, siç janë – gratë shtatzëna dhe personat në moshën mbi 60 vjet, në kopshtet e fëmijëve të mos praktikohet aktivitet fizik dhe të mos i nxjerrin fëmijët në vende të hapura në periudhën prej orës 11 deri në orën 17, si dhe njësitë e vetëqeverisjeve lokale, Kryqi i Kuq i RMV-së dhe qendrat për punë sociale në rajonet e kapluara me valën e nxehtësisë të kanë qasje më aktive dhe të ofrojnë ndihmë personave të vetmuar dhe të sëmurë dhe të pastrehëve.
“Duke pasur parasysh faktin se disa procese të caktuara të rrezikshme dhe teknologjike mund të jenë rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar në diell, përkujtohej punëdhënësit në detyrimin për respektimin e rregullave ligjore nga kjo sferë”, theksuan nga Qeveria.
Qeveria ka vendosur që organet shtetërore dhe ndërmarrjet publike dhe institucionet duhet të ndjekin rekomandimet dhe sektori privat këshillohet që të organizojë orë pune në mënyrë që të mbrojë punëtorët nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, për të shmangur qëndrimin jashtë në periudhën mes orës 11:00 dhe 17:00.
Qeveria ka vendosur që kjo masë të zgjasë 4 ditë, deri në një vendim të mëtejshëm. Qeveria dhe autoritetet kompetente do të monitorojnë situatën dhe, nëse është e nevojshme, do të merren masa në përputhje me Planin e veprimit për parandalimin e pasojave të valëve të nxehtësisë mbi popullatën në RMV.
“Të gjithë personat juridikë, të cilët kryejnë veprimtari në ambient të hapur, duhet të ndërpresin aktivitetet e tyre në periudhën nga ora 11 e mëngjesit deri në ora 17. Kjo është veçanërisht i përket punëtorëve në ndërtim”, njoftuan nga Qeveria.
Nga MSH përkujtuan edhe masat e përgjithshme për mbrojtje të shëndetit, gjegjësisht gjatë ditëve ekstrem të nxehta, të qëndrohet më shumë në hapësira të mbyllura (para së gjithash të kondicionuara), ndërsa gjatë nevojës për qëndrim në hapësira të hapura në këtë periudhë, të gjendet mundësia për pushime më të shpeshta nën hije.
“Të vishen rroba të lehta dhe të ndritshme, ndërsa në ekspozim të drejtpërdrejtë në diell vishni syze dhe kapelë, dhe kur rreziteni përdorni krem ​​me faktor të lartë mbrojtjeje. Të hahet më pak ushqim, kryesisht fruta dhe perime, dhe më pak ushqime me yndyrë. Të pihen shumë lëngje, mundësisht ujë të pijshëm të thjeshtë, dhe shmangni pijet alkoolike. Kur hyni në një automjet, është e nevojshme të ventiloni atë për një periudhë të caktuar. Personat e sëmurë kronikë duhet të marrin rregullisht terapinë e shkruar, në konsultim me mjekët amë”, thuhet në rekomandime.
Nga Ministria theksuan se për shkak të temperaturave të larta dhe rritjes së mundësisë së helmimit me ushqim dhe sëmundjeve infektive të zorrëve, rekomandohet të lani produktet bujqësore dhe kopshtare (perime dhe fruta të freskëta) para përdorimit të tyre, përgatitje termike të ushqimit dhe konsumimi i tij në shumë kohë të shkurtër pas përgatitjes. Nëse kjo nuk bëhet, theksoi Ministria e Shëndetësisë, ushqimi i përgatitur duhet të futet në frigorifer në + 4 gradë Celsius, dhe para përdorimit duhet të nxehet në + 100 gradë Celsius. Shmangni produktet që nuk janë të përpunuara termikisht si majoneza e vezëve të bëra në shtëpi, dhe konsumoni me kujdes akullore dhe kremra të ndryshëm.
Nga Ministria e Shëndetësisë gjithashtu theksojnë që institucionet shëndetësore janë të gatshme me një numër të mjaftueshëm të kapaciteteve (njerëzore, hapësinore) dhe terapi të barnave për ballafaqim eventual me një numër të shtuar të njerëzve me efekte të dëmshme në shëndet nga temperaturat e larta. Gjithashtu, nëse është e nevojshme dhe në baza ditore, Komisioni për monitorimin e efekteve të temperaturave të larta në Ministrinë e Shëndetësisë do të propozojë masa dhe aktivitete për të minimizuar këto rreziqe, veçanërisht për kategorinë më të prekshme të qytetarëve në ditët në vijim.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale përmes një kumtese iu bëri thirrje punëdhënësve, përkëdhelëseve dhe edukatoreve, të punësuarve në qendrat e shëndetit social dhe në Kryqin e Kuq që t’i respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, për mbrojtje të shëndetit dhe parandalimin e pasojave nga valët e të nxehtit të cilat vijojnë./TV21

Back to top button