​Në mungesë të kuorumit, dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore

Në mungesë të kuorumit ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, ku pikë e rendit të ditës ishte diskutimi rreth kërkesave për sjellje të dokumentacionit.

Shumica e deputetëve të opozitës kanë munguar në këtë mbledhje, ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni tha se për zgjidhjen çështjes së rezervave shtetërore është duke e bërë maksimumin, ndërsa sipas tij opozita duke mos qenë prezentë në mbledhje po tregon se nuk i intereson kjo çështje.

“Konsideroj që si pozitë edhe në mbledhjet e kaluara edhe sot po dëshmojmë që jemi për të bërë maksimumin në drejtim të qartësimit të të gjitha çështjeve që lidhen me këto pretendime, edhe kjo mosgatishmëria e sotme e kolegëve të opozitës për të qenë këtu prezentë, por edhe qasja e tyre në disa mbledhje të kaluara tregon që si duket këtij komisioni po i ofrohet fundi pa arritur të bëjë punën e vet”, tha Hyseni.

Me këtë rast, ka reaguar nënkryetarja e komisionit Valentina Bunjaku. Ajo tha se është hera e parë që opozita mungon në mbledhje të komisionit dhe se opozita ka pritur gati katër muaj.

“Këtë rast, me keqardhje nuk mundeni me e luajt rolin e viktimës, se jeni shumë të interesuar me zbardh të vërtetën sepse ne si opozitë ju kemi prit katër muaj dhe kanë dështuar mbledhjet, e opozita në këtë rast është hera e parë që e ka dështuar mbledhjen, hera e parë që ka munguar”, tha Bunjaku.

Derisa deputeti Salih Zyba ka kërkuar evidencë të vijueshmërisë së deputetëve për të mos u etiketuar mbi bazën e pa përgjegjësisë.

Po e shfrytëzoj rastin me të përgëzu për vijueshmërinë e rregullt, por pe ndjej obligim me kërku prej jush në këtë rast dhe administratës me prezantu një evidencë qoftë nevoja edhe me hapësirën kohore. Unë e kam pa se keni qenë më e gatshmja por mos të etiketojmë dikë mbi këtë bazën e pa përgjegjësisë. Sot kemi një mungesë të kuorumit jam i interesuar me mbyll sepse kemi obligime tjera”, tha Zyba.

Back to top button