Në rrezik nga infektimi, por 12 orë në punë

 

Me përhapjen e koronavirusit në Kosovë Policia e Kosovës, në kuadër të planit operacional, mori vendim që pjesëtarët të jenë në shërbim me orar 12 orësh, në mënyrë që të ketë prezencë më të madhe policore.

E gatshme të punojë në menaxhimin e situatës më krijuar me COVID-19, Policia e Kosovës vuri në dispozicion personel të mjaftueshëm për asistencë ndaj institucioneve relevante.

Mbi 8 mijë të uniformuar të Policisë së Kosovës, me orar 12 orësh u angazhuan në menaxhimin e situatës në aspektin e sigurisë, në parandalimin e lëvizjes së qytetarëve dhe aktiviteteve të tjera gjatë periudhës kritike kur shteti vendosi për kufizim të lëvizjes.

Duke u kujdesur për qytetarët , as policët nuk i shpëtuan infektimit me koronavirus.

Sipas të dhënave të siguruara nga Policia e Kosovës, që prej fillimit të pandemisë, janë infektuar rreth 500 pjesëtarë të PK-së, të uniformuar dhe staf civil dhe janë shëruar mbi 310.

Aktualisht me COVID-19 aktiv janë rreth 190 punonjës policie, ndërsa kanë humbur jetën nëntë pjesëtarë të PK-së, dy prej tyre staf civil.

Mimoza Hasani, zyrtare patrolluese në Policinë e Kosovës tregon se gjatë gjithë kohës të vetmen frikë e kanë pasur bartjen e mundshme të virusit të familjarët e tyre.

“E kemi pasur rutinë, 12 orë punë, nuk kemi pas shumë kohë me u marrë me frikën ose frika e vetme për ne ka qenë mos po e bartim virusin në familje, mirëpo edhe kjo ka kaluar sepse i jemi përmbajte nga fillimi udhëzimeve të Institutit të Kombëtar të shëndetësisë së Kosovës”, thotë ajo.

Që prej fillimit të pandemisë, ajo është në krye të detyrës dhe rutina e saj ka ndryshuar tërësisht ku pjesën më të madhe të kohës e kalon e veshur në uniformë.

“Puna jonë ka qenë patrullimi nëpër rrugë të ndryshme të regjionit të Prishtinës të cilat i kemi të caktuara për regjionin e Prishtinës, pastaj kur ka qenë koha e ndalesës dhe karantinave të qyteteve, zakonisht ne kemi mbuluar qytetin e Prishtinës, kemi kontrolluar hyrjet e daljet, oraret, krejt çka na është kërkuar prej Policisë së Kosovës”, tregon ajo.

Se pandemia ka qenë sfiduese edhe për vet pjesëtarët e Policisë së Kosovës tregon toger Nazmi Zogaj, i cili tash e dy dekada është në uniformë.

“Për shkak se është dashur me qenë një prezencë me e madhe policore tash në këtë kohë, drejtoria e përgjithshme e ka ndryshuar orarin e punës, ka qenë një ngarkesë për shkak se 12 orë është goxha një lodhje por prape se prape ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe po mundohemi ta kalojmë sa më lehtë”, thotë ai.

Ani pse detyrë primare e kanë monitorimin e komunikacionit rrugor, tani me Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë së COVID-19, ata mund të veprojnë edhe në rastet e tjera që i hasin.

“Fillimi ka qenë pak më i vështirë sepse njerëzit mendonin se kjo nuk është e vërtetë derisa nuk i ka ataku drejtpërdrejtë, mirëpo ne i kemi bind, derisa njerëz profesional nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë kanë thënë që duhet të respektohen masat edhe ne kemi kërkuar nga qytetarët që të respektohen masat, së pari i kemi respektuar masat ne vet…. Edhe pse detyrë primare e jona është monitorimi i komunikacionit rrugor, mirëpo si zyrtar policor do ta zbatojmë edhe këtë dhe në rastet kur qytetarët nuk i respektojnë edhe ne do të veprojmë me masat që i ka përcaktuar Ligji kundër Pandemisë”, thotë ai.

Puna e Policisë së Kosovës në komunikacion nuk ka qenë fare e lehtë për shkak të situatës së krijuar me përhapjen e virusit, në veçanti në fillim të pandemisë ku qytetarët kishin dilema rreth ekzistencës së virusit dhe respektimit të rekomandimeve që vinin nga institucionet shëndetësore.

“Kemi hasur në qytetarë të revoltuar sepse për të gjithë qytetarët kjo gjendje ka qenë panik, ankth, mirëpo ne gjithmonë jemi munduar t’i qetësojmë duke u sjellë mirë me ta sepse i kemi kuptuar çka po përjetojnë, është ndryshim”, tregon ajo.

Por, me gjithë situatën e rëndë të krijuar nga pandemia me COVID-19, ka pasur edhe diçka pozitive.

“E vetmja anë pozitive e pandemisë ka që qenë se gjatë kohës kur ka qenë kufizimi e kemi pasur një numër shumë të vogël të aksidenteve, fatmirësisht nuk kemi pasur numër të aksidenteve të rënda me pasoja të vdekur, ka qenë numër i vogël, kjo ka qenë e vetmja që unë mund të them që ka qenë pozitive që në atë kohë nuk ka pasur aksidente dhe kemi pas vdekje pak në komunikacion sa i përket njësitë së komunikacionit rrugor në regjionin e Prishtinës”, thotë ai.

Policia e Kosovës ka shërbyer me orar 12 orësh që prej fillimit të pandemisë, veçse në muajin qershor ka pasur ndërprerje kur edhe u shënua rënie e numrit të rasteve me Covid-19 dhe u liruan masat nga ana e qeverisë.

Por rritja e numri të rasteve pozitive i kthejë ata në shërbim 12 orësh./kp

Back to top button