Në vitin tjetër “Termokos” fillon me metodën e re të faturimit

“Termokosi” më 12 tetor filloi furnizimin me ngrohje në Prishtinë. Furnizimi filloi tre ditë para fillimit të sezonit të zakonshëm ngrohës, kjo për shkak të temperaturave të ulëta.
Afërdita Uka, zëdhënëse e ngrohtores “Termokos”, për portalin rtv21.tv ka shpjeguar se në këtë sezon, ngrohja do të tarifohet me metër katrorë e jo sa shpenzohet. Ajo për portalin rtv21.tv ka zbuluar se nga sezoni i ardhshëm do të fillojnë me metodën e re të faturimit, sipas konsumit.
“Për ngrohjen e ofruar gjithë konsumatorët tanë, në sezonin ngrohës 2022/2023 do të faturohen sikur deri më tani, sipas sipërfaqes ngrohëse të banesave të tyre. Ndërkaq, në saje të projektit që aktualisht është në proces të realizimit “Prishtina Heat Save”, përkatësisht vendosjes së matësve të energjisë termike tek të gjithë konsumatorët tanë, nga sezoni i ardhshëm ngrohës 2023/2024 do të fillojmë me metodën e re të faturimit, sipas konsumit. Këtë vit, krahas metodës së faturimit, sipas sipërfaqes ngrohëse (m/2), për disa objekte banesore dhe konsumatorë, tek të cilët ka përfunduar instalimi i gjitha pajisjeve, do të bëhet një faturim paralel, sipas të dy metodave, që të bëhet një lloj krahasimi se sa konsumatorët tanë po arrijnë të kursejnë nëpërmes metodës së re për kontrollimin e shpenzimeve të tyre për ngrohje”, ka thënë ajo.
Uka ka thënë se tarifat e ngrohjes për subjekte banesore janë 0.76 euro për m/2 plus TVSH-ja, ndërsa për subjekte afariste 0.95 euro për m/2 plus TVSH-ja.
Ajo foli edhe për projektet që po bën “Termokosi” për zgjerim dhe rehabilitim të rrjetit dhe stacioneve.
“Aktualisht, NP “Termokos” ka rreth 16 mijë konsumatorë, me një tendencë të rritjes së vazhdueshme të numrit të konsumatorëve. Gjatë këtij sezoni furnizimi me ngrohje për herë të parë do të fillojë edhe 141 objekte të reja banesore të lagjes “Mati 1” si dhe për 86 objekte të vjetra banesore nëpër lagje të ndryshme, ku ne operojmë, me rreth 2 mijë konsumatorë të rinjë”, ka thënë Uka në një intervistë për portalin rtv21.tv.
Tutje ajo ka thënë se “Termokos” nuk ka planifikuar kurrfarë reduktimesh në furnizimin me ngrohje për konsumatorët.
“Në kordinim të ngushtë me KEK-un, ne planifikojmë që të furnizojmë me ngrohje të mjaftueshme gjithë konsumatorët tanë përgjatë gjithë sezonit ngrohës”, ka thënë Uka.
Uka ka thënë se rreth 16milionë euro llogaritet borxhi i rreth 16 mijë konsumatorëve i cili është që nga paslufta e deri tash./21Media

Back to top button