Nensi Dojaka, shqiptarja që fitoi çmimin prestigjioz për dizajnerët e rinj të modës
Dizajnerja shqiptare, Nensi Dojaka, e cila jeton në Londër, fitoi një ndër çmimet më të rëndësishme në industrinë e modës, çmimin “LVMH” për vitin 2021, për talentet e reja në dizajnin e modës, në ceremoninë e çmimeve në Paris.
Aktorja franceze, Isabelle Huppert zbuloi emrin e fitueses, të enjten në prezencën e anëtareve të jurisë që ishin Kim Jones nga shtëpia e modës “Dior”, Virgil Abloh nga “Lous Vuitton”, Stella McCarteny, Marc Jacobs dhe Loewe drejtor artistik i “Jonathan Anderson”.
Duke thënë se ishte shumë e shokuar nga fitorja, Dojaka tha “jam gjithashtu e kënaqur sepse kam një vizion të feminitetit që dua ta ndaj me botën”.
“I dua trupat e femrave. Mendoj se fustani im i shkurtë me ngjyrë të zezëdoli kaq mirë edhe për këtë vit sepse njerëzit ndihen të lumtur për të dalë dhe festuar përsëri. Ata duan të ndihen seksi dhe elegantë”, ka thënë Dojaka sipas New York Times.
Fustani i shkurtë i zi i Dojakës i‘u bashkëngjit brendeve më të njohura ndërkombëtare si Bottega, Veneta, Prada dhe Hermes, duke u radhitur në Lyst Index si produkti më tërheqës në vitin 2021.
28-vjeçarja është e njohur për përshkrimin e natyrës femërore përmes shtresave të materialeve rrjetë, të cilat tregojnë brishtësinë dhe forcën e trupave të grave.
Ajo ka diplomuar në kolegjin “Central Saint Martins” në Londër dhe filloi linjën e saj në vitin 2017 gjatë kohës sa ishte ende në studime.
Dizajnerja ishte përkrah nëntë finalistëve të tjerë të përzgjedhur nga 1,900 aplikantë, dhe do të pranojë 300 mijë euro si dhe një vit mentorim nga profesionalistë.
Fustanet e saj janë veshur nga të famshëm si Bella Hadid dhe Emily Ratajkowski.
Në gjysmën e shtatorit, Dojaka do të marrë pjesë në “Javën e Modës” në Londër, e cila do të jetë sfilata e modës e katërt e koleksionit të saj./Kallxo.com