Nëse masat e BE-së vazhdojnë të jenë në fuqi, ekonomia e Kosovës mund të paralizohet

U bënë dy muaj që kur Bashkimi Evropian vendosi masa ndaj Kosovës, pasi që Qeveria nuk përmbushi një plan evropian për shtendosje të situatës në pjesën veriore të vendit. Edhe pse më pas u arrit një marrëveshje në Bratislavë për hapat shtensionues, këto masa ende vazhdojnë të mbesin në fuqi.

Përveç në rrafshin politik, këto masa u paralajmërua se do të kenë ndikim të madh edhe në ekonomi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, shpreson që këto masa të jenë afatshkurtra.

“Tani varet edhe se sa do të jenë në fuqi për periudha kohore por të shpresojmë që do të jenë afatshkurta dhe kërkojmë që sa më shpejt të hiqen në mënyrë që Kosovës t’i kthehet imazhi i mirë në kuptimin që te investitorët të mos ketë imazh që Kosova është një vend i cili ka masa ndëshkuese…. Ne patëm rastin me pa fondin për digjitalizim ku gjitha vendet e rajonit morrën pjesë, nënshkruan marrëveshje ndërsa Kosova u privu nga kjo e drejtë pikërisht për shkak të masave të vendosura nga BE si masa ndëshkuese. Kështu që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse jemi shtet i ri dhe kemi nevojë për zhvillim, kemi shumë nevojë për të ecur para”, tha ai.

Njohësi i fushës së Ekonomisë, Mustaf Kadrijaj vlerëson se Qeveria e Kosovës, duhet të rifitojë besimin e humbur të Bashkimit Evropian, për të shmangur zgjatjen e mëtejmë të sanksioneve ndaj Kosovës.

“Vlerësoj që tani e tutje ne jemi para një akti të kryer dhe BE e ka humbur besimin te qeveria e Kosovës, pra nuk shihet ma si një partner qeveria e Kosovës me BE dhe me këte rast duhet qeveria ajo e cila duhet te bëjë hapin që ta krijojë besimin te BE. Pra këtu kemi humbur besimin nga ana politike, po ashtu edhe më e keqe është që ne jemi duke e vujatur si biznese, si qytetarë pjesën e masave ekonomike sepse janë ndalë shumë fonde dhe po ashtu jemi në handikap në raport me tregtinë ndërkombëtare, në këtë rast Kosova tregitinë më të madhe e ka me BE dhe me shtetet e rajonit… Vleresoj se qeveria e Kosovës duhet të marrë hapa”, tha ai.

Por, një nga afaristët që merret me eksport të produkteve të mishit, thotë se deri më tani nuk ka vërejtur ndonjë ndikim të madh në biznesin e tij.

“Prej se janë vendosur masat nga Unioni Evropian, ne nuk kemi pasur ndonjë problem, ndonjë shtangim. Po zhvillohemi normalisht dhe shpresojmë që këto masa shumë shpejt do të eliminohen dhe Kosova t’i ketë dyert e hapura jo vetëm në Evropë por edhe në botë. Ne jemi një shtet sovran, ashtu edhe duhet të na shikojë BE-ja, dhe këto masa do të duhej të vendoseshin kundrejt Serbisë e jo ndaj Kosovës”, u shpreh Piraj për RTV21.

Si pasojë e masave të vendosura nga blloku evropian, Ministria e Ekonomisë pati konfirmuar se Kosova ka mbetur jashtë programit 7.5 miliardë euro të BE-së, për Ballkanin, program i cili synon të përshpejtojë transformimin digjital të Evropës dhe të sigurojë financim për projekte në fushat e teknologjisë dhe inovacionit./21Media

Back to top button