Nëse nuk paguhen mësimdhënësit, prindërit do të mbledhin fonde

Këshilli i Prindërve të Kosovës thotë se nëse mësimdhënësve nuk iu jepen pagat e shtatorit, prindërit duhet të organizohen për të mbledhur fonde solidariteti për t’i ndihmuar financiarisht mësimdhënësit.
Këshilli theksoi se revolta e tyre ishte për hapjen e çerdheve dhe shkollave, jo për t’i poshtëruar mësimdhënësit.
Të hënën, Qeveria e Kosovës konfirmoi se nuk do të dalin pagat për ata që ishin në grevë.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, tha për rtv21.tv Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se Qeveria është duke e lexuar gabimisht ligjin për grevën. Sipas tij, pezullimi ose mosekzekutimi i pagave për grevistët është veprim represiv dhe i kundërligjshëm i Qeverisë.
Por Qeveria ekzekutoi pagat e shtatorit për punonjësit që ishin pjesë e grevës në sektorin publik.
Kujtojmë se greva e mësimdhënësve dhe punëtorëve të administratës publike filloi më 25 gusht 2022, ndërsa u pezullua më 1 tetor 2022./21Media

Back to top button