Nesër ceremonia e varrimit të nënoficerit të lartë të FSK-së, Besim Bajraktari

Forca e Sigurisë së Kosovës sot ka informuar se nesër do të bëhen homazhet dhe ceremonia e varrimit të nënoficerit të lartë të FSK-së, Rreshterit të parë, Besim Bajraktari, i cili ka vdekur para dy ditësh.
FSK ka njoftuar se homazhet nga njësitë e FSK-së, do të mbahen në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në orën 10:00, ndërsa ceremonia e varrimit do të bëhet në orën 14:00, në varrezat e fshatit Batllavë, komuna e Podujevës.
“Homazhet në Kazermë nuk janë të hapura për publikun.”, është bërë e ditur në njoftim.
Besim Bajraktari është lindur më 23 janar 1973, në fshatin Batllavë, komuna e Podujevës. Ai ka qenë pjesëtar i UÇK-së, në Komandën e Zonës Operative të Llapit. Pas transformimit të UÇK-së ka shërbyer në Shtabin e Përgjithshëm në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe që nga themelimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka kryer detyra dhe pozita të larta të nënoficerit: Në Brigadën e Reagimit të Shpejtë, Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe vdekja e ka ndarë në pozitën e nënoficerit të lartë në Departamentin e Operacioneve dhe Trajnimeve në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.
Besim Bajraktari pas vetes ka lënë bashkëshorten dhe tri vajza./21Media

Back to top button