Nesër në mesditë do të mbahet seanca konstituive e përbërjes së re të Kuvendit në Maqedoninë e Veriut. Seancën do ta drejtojë Talat Xhaferi, i cili tashmë ka dalë nga spitali dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.

Seanca do tëmbahet në Sallën Kupolë, nën protokolle të veçanta për mbrojtje nga virusi korona. Të ftuar janë drejtues e ish-drejtues të institucioneve më të larta të shtetit, si dhe përfaqësues të korit diplomatik.

Kuvendi do të konstituohet, por krijimi i shumicë parlamentare vazhdon të jetë në pikëpyetje. Partitë më të mbyllura se kurrë për të treguar planet e tyre për koalicione.

LSDM-ja si partia me më shumë mandate nuk jep asnjë informacion se me kë sefte do të ulet zyrtarisht për të negociuar. Kjo ngre edhe pikëpyetjen nëse BDI është në plan të parë të socialdemokratëve për koalicion.

Integristët nuk japin asnjë përgjigje për planet për tryezat e bisedimeve.

Jozyrtaisht mësohet se takimin e parë Zaev do ta zhvillojë me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçin, po këtë nuk e konfirmoi asnjëra palë.

“Çdo përparim që do të ketë në bisedime do të informojmë”, tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Nga kabineti i Menduh Thaçit thanë se nuk mund të konfirmojnë asgjë.

Pas Thaçit, jozyrtarisht mësohet se Zaev do të ulet në bisedime me koalionin Alternativa-Aleanca për Shqiptarët, megjithatë këtë nuk e konfirmojnë nga ky koalicion, megjithatë tani për tani janë të vetmit që janë më të hapur dhe të qartë me qëndrimet e tyre.

“Nuk ka asgjë konkrete rreth bisedimeve për formimin e qeverisë, por konsiderojmë që gjërat do të qartësohen pas konstituimit të Kuvendit dhe përcaktimit të mandatarit. Megjithatë ne nuk do të marrim pjesë në bisedime derisa BDI-ja ta shterë pikën e vetme me të cilën gjatë fushatës parazgjedhore i kanë ftuar shqiptarët t’i përkrahin – pikën e kryeministrit shqiptar. Në të kundërtën BDI nuk ka legjitimitet të flasë për asnjë çështje tjetër”, theksoi Skender Rexhepi nga Koalicioni Alternativa – Aleanca për Shqiptarët.

Pas konstituimit të Kuvendit, Kushtetuta parasheh që Presidenti në afat prej 10 ditësh duhet t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë, partisë apo partive që kanë shumicë. Mandatari ka afat 20 ditë që ta formojë Qeverinë dhe nëse nuk e arrin një gjë të tillë, atëherë mandati i kalohet partisë së dytë me më së shumti mandate në zgjedhje, raporton TV21./21Media