Nga e hëna gjoba për shkelësit e masave, 250 euro për qytetarët, deri në 30.000 për pronarët

Pas vendimit se nga e hëna të pavaksinuarit në Maqedoninë e Veriut nuk do të guxojnë të hyjnë në hapësira ku janë më shumë se 30 persona dhe se duhet të tregojnë certifikatën e tyre vaksinimi! Qytetarët me mendime të ndara lidhur me këtë çështje.
“Në fillim ishim skeptikë, të gjithë kishim frikë nga përmbajtja e vaksinës, të jemi realistë. Si do të ndikojë mbi organizmin tonë ku ta dimë, ndoshta kemi ndonjë problem të fshehur. Shkojmë në kontroll dhe del se jemi në rregull, por nuk e dimë. Si t’ju them tash. Nuk ka drejtësi, për shumë gjëra nuk ka drejtësi. Nëse unë jam vaksinuar, e kam certifikatën, e bëra me plastikë që të mos griset, do të hyjë kudo që kam nevojë. Por, si mund të kemi të drejta të barabarta me atë që nuk dëshiron të vaksinohet?”
“Që të mos infektohen edhe më shumë. Kjo është normale dhe ashtu duhet të jetë. Le të organizohen dhe le të shkojnë të gjithë. Unë i mora të dyja dozat, nuk është diçka për të cilën duhet të kemi frikë. Vaksina është e sigurt, le të shkojnë lirisht”.
“Jam vaksinuar, por sërish nuk shkoj ku ka shumë njerëz. Rri në shtëpi, ja tash dola vetëm të blej diçka.
-A duhet vaksinat të jenë të detyrueshme?
-Duhet, ja edhe fëmijët fillojnë të infektohen…”.
“Vaksinat nuk duhet të jenë të obligueshme. Duhet të shkojmë në protestë, kjo është fashizëm, edhe pak do të na vendosin edhe shenja sikur hebrenjve. Nëse dikush është i vaksinuar, e unë jo dhe nëse unë mund ta infektoj atë, atëherë çfarë vaksine është kjo. Kjo nuk është vaksinë”.
Mosrespektimin e masave të reja do ta sanksionojë Inspektorati Shtetëror i Tregut. Kjo ngjalli reagime në opinion kur bëhet fjalë për lartësinë e gjobave. Drejtoresha Aneta Simeska-Dimoska, shpjegon se për personat juridikë gjoba do të jetë nga 2.000 deri në 30.000 euro, kurse për personat fizikë do të kujdesen mbajtësin e rendit në objektet hotelierike. Personat fizikë do të gjobiten nga ana e Inspektoratit të Tregut vetëm me një kusht.
“Për momentin nuk kemi kompetencë t’i sanksionojmë personat që nuk posedojnë certifikatë. Në qoftë se vizitorët kanë manipuluar me hotelierët, gjegjësisht u kanë dhënë certifikata të rrejshme, atëherë kemi kompetencë t’i marrim masat adekuate të cilat do të procedohen më tutje”, deklaroi Simeska-Dimoska.
Pikërisht për shkak të këtyre masave, qytetarët nesër në orën 12:00 do të dalin në protestë para Kuvendit për ta shprehur pakënaqësinë e tyre.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sot gjatë vizitës në Ohër, tregoi se përveç të vaksinuarve, personat që kanë kaluar Kovid-19 do të lejohen të hyjnë në objektet e hotelierisë dhe ngjarjet në ambiente të hapura. Sqaroi se këta persona mjafton të kenë certifikatë se janë infektuar me COVID-19 në 45 ditët e fundit./TV21

Back to top button