Sivjet, mbi 2 mijë viktima të dhunës në familje

Që nga janari deri në tetor të këtij viti, në Kosovë janë raportuar 1988 raste të dhunës në familje. Policia e Kosovës për rtv21.tv ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe, numri total i viktimave të dhunës në familje është 2065.
Sipas të dhënave të PK-së, në vitin 2020 janë raportuar në polici 2069 raste të dhunës, ndërsa totali i viktimave ka qenë 2101.
Në vitin 2019, janë raportuar 1915 raste të dhunës në familje, ndërsa numri i total i viktimave ka qenë 1978, ndërkaq, gjatë vitit 2018 janë raportuar 1534 raste të dhunës në familje, ndërsa numri total i viktimave gjatë këtij viti ka qenë 1562, shkruan rtv21.tv
Rastet e dhunës në familje, sipas policisë, në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme.
“Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e  dhunës në familje. Policia ka përdorë forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapët dhe të shkojë të sa më shumë persona, e ky është qëllim primar, sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla.”, ka bërë të ditur policia./21Media

Back to top button