Nga nesër kosovarët që kthehen në Gjermani do të testohen për Covid-19

 

 

Nga nesër, të gjithë qytetarët, banorë rezidentë në Gjermani apo që kalojnë pushimet verore në Kosovë do të obligohen të testohen për COVID-19 sapo të kthehen në Gjermani.

Këtë e ka bërë të ditur Ambasada e Kosovës në Gjermani.

Sipas tyre, pasi të bëhet testimi dhe deri në marrjen e rezultatit, duhet respektuar masa e vetizolimit. Nëse testi është negativ atëherë lejohet dalja nga vetizolimi. Nëse testi është pozitiv atëherë duhet zbatuar udhëzimet e mjekëve dhe Enteve Shëndetësore gjermane në vendbanime.

Ky vendim parasheh edhe dënim në rast të mosrespektimit të tij, 150 deri në 25 mijë euro do të penalizohen ata që nuk do t’i nënshtrohen testimit.

Ndërkaq, Ambasada ka dhënë edhe udhëzime se ku duhet të drejtohen qytetarët që kthehen në Gjermani për t’u testuar.

“Aeroportet ku mund të bëni testet – pa pagesë: Berlin, Bremen, Dortmund, Duesseldorf, Franfkfurt am Main, Hamburg, Hannover, Leipzig/Halle, Memmingen, Muenchen, Koeln/Bonn, Nuernberg, Saarbruecken, Stuttgart. Nëse udhëtoni me makinë, autobus apo tren nga Kosova në Gjermani testet mund t’i bëni edhe në stacione të Trenave (Munih, Nuernberg) si dhe në kufirin Austri- Gjermani në Autostradë në “Rastanlage Hochfelln- Nord” në Autostadën A 8 pranë Bergen. Edhe në stacionin e Autobusëve në Berlin (ZOB) mund të bëhen teste”, njofton Ambasada.

Ata tutje njoftuan se “nëse nuk arrini të testoheni në aeroporte apo edhe rrugë tokësore atëherë duhet të përmbushni obligimin ligjor dhe të lajmëroheni tek mjeku i shtëpisë apo Enti Shëndetësor i Komunës ku jetoni dhe testoheni”.

Nëse jeni transit në Gjermani, nuk është i obligueshëm testi.

Back to top button