Nga zyra e Presidentes i reagojnë ambasadorit Hill

Deklarata e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill për sulmet e NATO-s ndaj caqeve serbe dhe se Serbia nuk do ta harrojë kurrë atë periudhë ka ngjallur reagimin e zyrtarëve të shtetit të Kosovës.

Donjeta Miftari, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani në një postim në “Twitter” ka shkruar se duket që ambasadori Hill ka vendosur të rishkruajë historinë në përpjekjet e tij për ta sjellë Serbinë në ‘binarë’.

Ajo më tej thekson se në fakt Serbia nuk duhet ta harrojë atë periudhë pasi sulmet ndodhën si përgjigje ndaj veprimet të një regjimi brutal dhe gjenocidal.

“Ndërhyrja nuk ishte rezultat i ‘dështimit të diplomacisë’. Serbia me të vërtetë nuk duhet ta harrojë atë, pikërisht sepse ndodhi si përgjigje ndaj veprimeve të një regjimi brutal dhe gjenocidal”, tha ajo.

 

 

Më tej këshilltarja Miftari në profilin e saj në “Twitter” ka paraqitur edhe fjalimin e ish presidentit amerikan, Bill Clinton i cili i ishte drejtuar qytetarëve amerikan për sulmet e NATO-s ndaj caqeve të Serbisë dhe arsyeve pse duhet të ndërhyjnë.

Ndryshe, sot ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka shprehur ngushëllime për të gjitha familjet që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë luftërave të viteve ’90, duke i përfshirë siç tha ai edhe ata që kanë humbur të afërmit e tyre si rrjedhojë e fushatës ajrore të NATO-s.

Back to top button