Nicki Minaj dhe burri i saj paditen nga viktima e sulmit seksual

Reperja Nicki Minaj dhe burri i saj, Kenneth Petty, janë paditur nga një grua për të cilën ai ishte dënuar për tentativë përdhunimi më 1994.
Gruaja, tani 43 vjeçe, ka ngritur një padi duke pretenduar se çifti e kanë ngacmuar në përpjekje për ta bërë që të tërheqë pretendimet e saj.
Petty kaloi katër vjet e gjysmë burg pasi u deklarua fajtor për tentativën e përdhunimit të gruas e cila në atë kohë ishte adoleshente.
Në padinë e ngritur në Gjykatën e Qarkut në SHBA për Qarkun Lindor të Nju Jorkut, gruaja pretendon se Minaj i ofroi asaj 500,000 dollarë përmes një ndërmjetësi në këmbim të heqjes dorë nga akuzat e saj kundër Pettyt.
Minaj dyshohet se e ka thirrur dhe i ka ofruar ta dërgojë atë dhe familjen e saj në Los Angeles, nëse ajo mund ta “ndihmojë”. Oferta u refuzua, thotë padia.
Gruaja tha se nuk kishte qenë në gjendje të punonte që nga maji i vitit 2020 “për shkak të depresionit të rëndë, paranojës, lëvizjeve të vazhdueshme, ngacmimeve dhe kërcënimeve” nga çifti i famshëm dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Padia, e cila kërkon dëmshpërblim të paspecifikuar, thotë se ajo po jeton e fshehur pasi ka frikë nga hakmarrja.
Minaj dhe Petty filluan lidhjen më 2018 dhe njoftuan një vit më vonë se ishin martuar. Çifti kanë një djalë 11 muajsh./21Media

Back to top button