Nike, Adidas dhe Puma i kërkojnë Trumpit t’i japë fund luftës tregtare me Kinën

I dërgojnë letër Trumpit

Kompanitë e njohura të mbathjeve Adidas, Nike dhe Puma i bëjnë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trumo të përfundojë sa më parë luftën tregtare me Kinën duke e quajtur “katastrofike” vendosjen e tarifave të reja. Përmes një letre drejtuar presidentit amerikan, Donald Trump, prodhuesit e njohur të atleteve iu bashkuan më shumë se 170 kompanive tjera të cilat bëjnë thirrje që mbathjet të përjashtohen nga tarifat e reja në importet e Kinës.

Administrata amerikane këtë muaj ka rritur tarifat ekzistuese në importet kineze dhe po kërcënon t’i vendosë këto tarifa pothuajse në gjitha produkteve kineze të importuara në Shtetet e Bashkuara. Kjo do të përfshijë taksa shtesë për mallrat e konsumit si elektronikë dhe veshje, duke përfshirë atletet dhe telefonat e mençur iPhone. Kjo masë ka shkaktuar alarm te shitësit dhe prodhuesit të cilët mbështeten në mallrat nga Kina.

“Tarifa shtesë e propozuar prej 25 për qind në atlete do të ishte katastrofike për konsumatorët tanë, kompanitë tona dhe ekonominë amerikane në tërësi”, thuhet në letrën e prodhuesve të njohur amerikanë.

Letra tha se industria e mbathjeve tashmë paguan 3 miliardë dollarë obligime dhe se tarifat shtesë do të rrisnin kostot dhe çmimet.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump kohë më parë ka thënë se konsumatorët amerikanë mund t’i shmangin tarifat duke blerë prodhime të njëjta nga burime të tjera. SHBA-ja dhe Kina janë përfshirë në një luftë tregtare duke vendosur tarifa ndaj njëra tjetrës. Të dyja vendet po negociojnë për tejkalimin e situatës mirëpo ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje. SHBA-ja e akuzon Kinën për praktika të padrejta tregtare./REL

Back to top button