Nis dialogu strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së
Marrëdhëniet dypalëshe në mes Shkupit dhe Uashingtonit, por edhe çështjet e interesit global do të jenë në fokusin e dialogut strategjik në mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së që fillon sot në Uashington, dhe vend të posaçëm në bisedimet do të kenë edhe temat nga fusha e bashkëpunimit rajonal, mbrojtjes dhe sigurisë, energjetikës, bashkëpunimit ekonomik, tregtisë dhe investimeve, bashkëpunimit kulturor, si dhe çështje nga fusha e arsimit, zhvillimit demokratik dhe luftës kundër korrupsionit.
Në bisedime, njëkohësisht, do të flitet edhe për proceset euro-integruese të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit, kryesimi i ardhshëm i vendit me OSBE-në në vitin 2023, si dhe për sfidat aktuale të sigurisë dhe implikimet e tyre ndaj sigurisë transatlantike.
Delegacioni qeveritar i përbërë nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojcevska, në kuadër të vizitës në Uashington dhe para fillimit të Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, realizuan një numër të madh takimesh me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe personalitete të shoqërisë civile dhe think-thank organizata.
Në mesin e aktiviteteve të shumta, delegacioni qeveritar realizoi takime të ndara edhe me delegacionet e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), të udhëhequr nga presidenti, Derek Miçell dhe Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), të udhëhequr nga Daniel Tvining.
Në takimet e djeshme u shpreh kënaqësi për fillimin e dialogut strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, që paraqet hap të rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale dhe avancimin e partneritetit strategjik.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Uashington të SHBA-së ka zhvilluar dje takim pune me Endru Lajt, ndihmëssekretar i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare në departamentin e Energjetikës së SHBA-së.
Siç u theksua në kumtesë, temë kryesore e takimit ka qenë zhvillimi i tregut të energjisë në Maqedoninë e Veriut, tranzicioni energjetik, siguria dhe diversifikimi në furnizimin me energji dhe investimet në energjinë e gjelbër.
“Në takim, ministri Bekteshi informoi për investimet që po bën Maqedonia e Veriut në sektorin energjetik, para së gjithash në zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit natyror dhe ndërlidhjeve të gazit natyror me vendet fqinje, si dhe për masat e marra për krijimin e kushteve për investime në ndërtimin e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme”, thuhej në kumtesën e Ministrisë.
Bekteshi bëri të qartë se në përputhje me strategjinë afatgjate në sektorin e energjisë, Republika e Maqedonisë së Veriut vlerëson mbështetjen e partnerit të saj SHBA me kontribut të përbashkët për të vazhduar zhvillimin e koncepteve që janë në fokus të zhvillimit të sektorit energjetik.
“Vend të rëndësishëm do të kenë temat e fushës së bashkëpunimit rajonal, mbrojtjes dhe sigurisë, energjisë, bashkëpunimit ekonomik, tregtisë dhe investimeve, bashkëpunimit kulturor, si dhe çështjet në fushën e arsimit, zhvillimit demokratik, luftës kundër korrupsionit etj. Njëherazi, do të bisedohet për procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit, kryesimit të ardhshëm të vendit tonë me OSBE-në në vitin 2023, si dhe për sfidat aktuale të sigurisë dhe implikimet e tyre në sigurinë transatlantike”, theksohej në kumtesë.
Siç informon MPJ-ja, pas përfundimit të dialogut strategjik, do të miratohet Deklaratë e Përbashkët ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila do të riafirmojë përpjekjet e përbashkëta për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Programet për bashkëpunim të sigurisë, duke i përfshirë edhe furnizimet ushtarake, financimin ushtarak, edukimin ushtarak ndërkombëtar dhe ndihmën humanitare, ishin në fokusin e bisedave të takimit të djeshëm në Uashington të ministres së Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe drejtorit të Agjencisë amerikane për bashkëpunim për sigurinë e mbrojtjes, Xhejms Hërsh.
Petrovska në takim ka theksuar se modernizimi i Armatës është prioritet kryesor i Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa Agjencia amerikane e bashkëpunimit për sigurinë e mbrojtjes ka rol të rëndësishëm në këtë proces.
“Me padurim e presim pjesën e parë të furnizimit të transportuesve të blinduar më të sofistikuar të prodhimit amerikan për ushtrinë e Maqedonisë së Veriut. Gjashtë transportuesit e parë të blinduar të lehtë pritet të arrijnë në mes të verës dhe do të jetë një kontribut serioz në procesin e modernizimit të Armatës dhe konfirmim shtesë i besimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së”, theksoi Petrovska.
Ajo u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në këtë segment. Njëherit, SHBA nga viti 1996 deri më sot në pajisje dhe modernizim të Armatës së Maqedonisë së Veriut ka investuar pothuajse 150 milionë dollarë.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që fillon dialogun strategjik me SHBA-në, që njëkohësisht paraqet azhurnim të partneritetit të tanishëm strategjik në mes dy vendeve dhe ngritjen e marrëdhënieve bilaterale në nivel më të lartë./TV21