Kaloni te përmbajtja kryesore

Nis protesta në Veri dhe Graçanicë

Popullata lokale serbe në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë afër Prishtinës, po proteston të premten kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar se punonjësit e institucioneve të financuara nga Serbia kanë pasur “obligim pune” të marrin pjesë në protesta.
Protestuesit mbanin parulla “Me paqe kundër dhunës së Kurtit” “Kurti nuk do t’i dëbojë serbët nga Kosova dhe Metohia”, “Duam vetëm të drejtat tona”.
Popullata e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës po proteston në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata që jetojnë në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, kanë ardhur në mënyrë të organizuar në Graçanicë.
Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë thënë se janë të shqetësuar për rrezikun e përshkallëzimit apo dhunës në protestat e planifikuara të premten.
Vendet e Quint-it dhe BE-së, po ashtu kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga secila retorikë apo vendim, që mund të çojë në rritje të tensioneve./rel

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button