Zgjedhjet serbe, Kurti letër BE-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Kurti në këtë letër ka shkruar është për keqardhje që derisa Kosova punon me BE-në dhe vendet e Quint-it për të gjetur një zgjidhje të pranueshme ndërmjet dy qeverive, strukturat ilegale të Serbisë mundohen të organizojnë zgjedhje në Kosovë sikur të mos ekzistonte Qeveria e saj.
“Në veçanti, Beogradi e përdor termin “votuesit me të drejtë vote” për t’iu referuar serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë. Mirëpo, kjo është sipas regjistrit civil të përcaktuar dhe të poseduar nga strukturat komunale ilegale të Serbisë në Kosovë, duke shkelur kështu Kushtetutën dhe ligjet tona. Është me rëndësi që kjo orvajtje të mos legjitimohet nga autoritetet e BE-së apo të OSBE-së. Po ashtu, referimi i tyre te ‘votuesit me të drejtë vote’ dhe jo ‘votuesit jashtë vendit’, është në shpërputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.”, thuhet ndër tjerash në letrën e Kurtit.
Ai tutje ka e ka quajtur përpjekje për ta për ta nënçmuar Kosovën dhe institucionet e saj shtetërore, është duke ndodhur në një kohë kur Beogradi po tregohet destruktiv në shumë drejtime
“Duke refuzuar të zgjidhë problemin e mospagimit të energjisë elektrike në veri të Kosovës; mungesa e marrëveshjes për targat e Kosovës dhe Serbisë; duke emëruar struktura ilegale si komisionerë zgjedhorë; duke përdorur mjete administrative për të kryer spastrim etnik kundër shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc përmes deregjistrimit të tyre si banorë; dhe duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të BE-së dhe ShBA-ve kundër Federatës Ruse për agresionin e saj ushtarak dhe pushtimin e Ukrainës”, thuhet mes tjerash në letren e Kurtit dërguar BE-së e cila u publikua nga asistenti i tij, Arianit Beqiri në rrjetin social “Facebook”.
Letra e Kurti vjen pasi zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, më 22 mars, , se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.
Po ashtu ambasadorët e shteteve të QUINT-it, SHBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali përmes një deklarate të përbashkët kanë thënë se Kosova duhet të krijojë kushte që qytetarët e Serbisë të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit në mënyrë që të shmangen incidente të mundshme./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?