Nis viti i ri shkollor në Shqipëri, sivjet 1 mijë nxënës më pak

Këtë vit në Shqipëri numri i nxënësve që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollave do të jetë më i ulët.
Në klasat e para u regjistruan rreth një mijë fëmijë më pak se shtatorin e kaluar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit rezulton se abetaren do të nisin me afro 29 mijë fëmijë nga 30 mijë që ishin vitin e shkuar. Edhe pse ende nuk është bërë me dije numrin total të nxënësve në sistemin para universitar numri pritet të jetë më i ulët.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave në 5 vjetët e fundit janë regjistruar rreth 56 mijë nxënës më pak dhe i njëjti trend pritet të jetë dhe për vitin shkollor 2022 – 2023.
Referuar INSTAT në arsimin fillor ka 16 mijë fëmijë më pak, në ciklin e lartë të arsimit bazë 24 mijë dhe në gjimnaze numri i nxënsve krahasuar me 5 vite të shkuara është 14 mijë më pak.
Ekspertë të arsimit situatën e shohin me shqetësim dhe thonë se është shkaktuar nga rënia e numrit të lindjeve dhe largimeve massive nga vendi.
Në disa qytete nxënësit edhe këtë vit do të detyrohen të zhvillojnë mësim deri në orët e vona të pasdites. Në Tiranë për shkak se disa shkolla janë ende në rikonstruksion e të tjera kanë numër të lartë fëmijësh të paktën në 22 institucione arsimore mësimi do të jetë me dy turne./oranews

Back to top button