Nitaj: Nuk fiket Kosova për 50 euro shtesë për pagat e mësuesve
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj ka thënë se Qeveria është përgjegjëse e vetme pse nuk ka filluar mësimi.
Përmes një postimi në Facebook, Nitaj ka thënë se sikur Qeveria ta kishte plotësuar kërkesën e mësuesve për 50 euro shtesë situata do ishte ndryshe.
“Qeveri jepi fund grevës Qeveria është përgjegjëse e vetme pse nuk ka filluar mësimi. Ajo duhet ta kuptojë se nuk është problemi as te Sindikata e as te Rrahman Jashari, por te ata 20 e sa mijë mësues të cilët janë të pakënaqur me pagat që marrin. Sikur qeveria ta kishte plotësuar kërkesën e tyre për 50 euro shtesë, që dorën në zemër është minimaliste, as edhe 100 Rrahman Jashara e sindikata, nuk do të mund t’i shtyenin në grevë. Prandaj kot po i bini në qafë Rrahman Jasharit! Nuk është ai problemi. Nuk fiket Kosova për 50 euro shtesë për pagat e mësuesve! Është punë e qeverisë ta garantojë fillimin e vitit shkollor e jo e sindikatës! Jeni votuar për zgjidhje, gjejeni”, ka shkruar Nitaj në Facebook.
Nxënësit as këtë javë nuk kanë nisur procesin mësimor pasi mësimdhënësit janë në grevë. Ata po kërkojnë 100 euro deri në finalizim të Ligjit të Pagave./21Media