Një i vrarë dhe disa të plagosur nga dy shpërthime me bombë

Dy shpërthime kanë goditur kryeqytetin afgan Kabul, duke vrarë të paktën një person dhe duke plagosur të paktën gjashtë të tjerë.
Zëdhënësi i ministrisë së brendshme, Qari Sayeed Khosty në një postim në Twitter tha se një shpërthim me makinë bombë ndodhi në Dasht-e Barchi, një zonë me shumicë myslimane shiite në Kabulin perëndimor, vrau një civil dhe plagosi gjashtë.
Një shpërthim i dytë u raportua gjithashtu në zonën aty pranë Karte 3, thanë banorët vendas.
Zabihullah Mujahid, zëvendësministër për kulturë dhe informacion në qeverinë e udhëhequr nga talebanët, tha për Associated Press se një hetim po vazhdonte për incidentin.
Ai tha se një nga shpërthimet në Kabulin perëndimor shkatërroi një furgon. Imazhet nga një nga faqet treguan një furgon të shkatrruar.
Askush nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për shpërthimet, transmeton rtv21.tv.
Incidenti është shpërthimi i tretë në Kabul gjatë javës së fundit; të hënën një bombë në anë të rrugës goditi një taksi duke plagosur dy persona.
Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për një shpërthim që vrau një person dhe plagosi pesë të tjerë të dielën.
Vendi po lufton me varfërinë në rritje si pasojë e pushtimit të talebanëve në gusht.
Të mërkurën në mëngjes, Ministria e Jashtme e Talibanëve lëshoi një deklaratë duke i bërë thirrje kongresit amerikan të lirojë asetet e Afganistanit. Fondet janë bllokuar që kur talebanët morën vendin.
“Sanksionet amerikane jo vetëm që kanë bërë kërdi me tregtinë dhe biznesin, por edhe me ndihmën humanitare”, thuhet në deklaratë.
Në dritën e përkeqësimit të situatës, Programi Botëror i Ushqimit paralajmëroi këtë javë se 8.7 milionë njerëz në Afganistan janë në rrezik të përballen me “kushte të ngjashme me urinë” dhe 14.1 milionë të tjerë vuajnë nga pasiguria akute ushqimore./21Media

Back to top button