Një muaj paraburgim ndaj një personi që dyshohet se kreu dhunë në familje

Gjykata Themelore në Prizren sot ka bërë të ditur se është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit K.P, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale ”dhunë në familje”.
”Nga data e pavërtetuar, e gjer më 16 janar 2022, në shtëpinë e tyre të përbashkët familjare, i pandehuri K.P., si pasojë e problemeve psikike që e kanë afektuar, me dashje në vazhdimësi kryen dhunën ose keqtrajtimi fizik me qëllim të cenimit të dinjitetit të dëmtuarës – bashkëshortes së tij si viktimë e ndjeshme, ashtu që si rrjedhojë e problemeve të vazhdueshme familjare që kishin me të dëmtuarën, vazhdimisht ushtron dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të dëmtuarës, dhe me datë 16 janar në momentin kur e dëmtuara kthehet nga puna, me të hyrë brenda në shtëpi, i pandehuri në prezencën e fëmijëve të tyre, e sulmon të dëmtuarën duke e goditur me shuplaka në fytyrë”, është bërë e ditur në komunikatë.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, respektivisht i pandehuri ka kryer veprën panele në dëm të vlerave të shoqërisë e cila mbron integritetin dhe jetën e njerëzve brenda një marrëdhënieje familjare. Gjithashtu duke pasur parasysh ambientin në të cilin është kryer vepra penale, pra në shtëpinë e përbashkët të të pandehurit dhe të dëmtuarës, sipas komunikatës, ekziston rreziku se me lënien e të pandehurit në liri apo që ndaj tij të mos caktohet paraburgimi, i njëjti mund të përsërisë veprën e njëjtë penale, mund ta përfundojë veprën e kanosur penale, por mund të kryej edhe ndonjë vepër penale të natyrës më të rëndë me pasoja më të mëdha për të dëmtuarën dhe për familjen.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./21Media

Back to top button