Një muaj paraburgim për serbin që dyshohet se kreu krime lufte në Kamenicë

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim serbit të dyshuar për krime luftë në Kamenicë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit në çështjen penale hetimore të të pandehurit Z.A, i dyshuar për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ”, bëhet e ditur në komunikatë.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.A e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.
“Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, në kuptim të nenit  184 paragrafi 1 nën – paragrafi 1.1 e nën – paragrafi 1.2 pika 1.2.1 e 1.2.2 dhe nën – paragrafi 1.3 të KPPRK”, thuhet tutje në komunikatë.
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar se në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, ka arrestuar të martën të pandehurin me inicialet Z.A., nacionalitetit serb.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se “i pandehuri Z.A., dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M, me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokolleve shtesë”.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Z.A., gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj ka filluara të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve, i’a ka vënë zjarrin, si dhe ka marr pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.
Me këto veprime i pandehuri Z.A., kishte për të kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së./21Media

Back to top button