Një muaj paraburgim personit që gjuajti me kallashnikov kur po e ndiqte Policia
Gjykata Themelore në Prizren, i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të pandehurit V.Ll., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Më 29 dhjetor të vitit të kaluar, në fshatin Planejë, V.Ll., me armë pushkë automatike të llojit AK-47 shkaktoi rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që derisa patrulla e policisë kufitare ishte duke e ndjekur atë, duke u larguar ka shtënë disa herë në drejtim të papërcaktuar, me ç’rast vë në rrezik të madh jetën e zyrtarëve të policisë kufitare të sektorit të Vërmicës dhe inspektorëve të Ministrisë së bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar: se me datë 29 dhjetor të vitit 2021, në fshatin Planejë, Komuna e Prizrenit, i pandehuri V.Ll., pa lejen e organit kompetentë ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën – pushkë automatike të llojit AK-47 dhe pushkën e gjuetisë të tipit të panjohur, të kalibrit 12 mm.