Berisha kërkon të lirohet personi që e goditi

(Lajm i përditësuar)
Nga foltorja e protestës së opozitës sot, Sali Berisha mu shpreh se duhet liruar djali që e goditi atë më grusht pak minuta më parë.
Ai deklaroi se sulmuesi duhet të lirohet pasi siç u shpreh ai, autori i sulmit është Edi Rama.
“Policia ta lirojë fatkeqin sepse ai është një mjeran që ka shitur veten. Përpiqen sot ta lidhin meqë ky është një samit, me pista që çojnë nga Turqia që çojnë nga Turqia apo ndonjë vend tjetër. Ka vetëm një arkitekt të kësaj që është Edi Rama. Autori i vërtetë është ulur në Samit si kryekrimineli i Evropës dhe Ballkanit”, tha ai.
13:22 – Berisha: Mirënjohje për BE, nuk e pranojmë që ky samit të paraqitet si mbështetje për Ramën 
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha falënderoi protestuesit që iu bashkuan në tubimin e opozitës kundër qeverisë Rama, të zhvilluar në të njëjtën ditë kurliderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit u mblodhen për samitin në Tiranë.
Berisha u uroi mirëseardhjen liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
“U shprehim mirënjohjen tonë të pakufishme për ndihmën e gjithanshme për ndihmën që i jepni Shqipërisë prej dekadash”, tha Berisha, teksa turma brohoriste “O Sali, o hero, gjithë Shqipëria ty të do”.
“Ne jemi fatkeq, për faktin se sot përfaqësohemi në këtë samit me njeriun i cili duhet të ishte para drejtësisë dhe jo aty i ulur me ju. Ndihemi fatkeq sepse pushteti i atij që na përfaqëson, qëndron mbi krimin elektoral, votën e vjedhur, drogën, korrupsionin dhe të zeza të tjera ndaj këtij kombi. Ky samit është një mundësi e artë që shqiptarëve t’iu dëgjohet zëri, ndaj dhe ne, siç e kërkon tradita, miqve do t’iu themi të vërtetën. Ne nuk jemi këtu në një manifestim festiv siç do të donim të ishim. Nuk mund të pranonim që ky samit historik për vendin tonë të paraqitej si mbështetje për Ramën dhe qeverinë e tij”, tha ai.
12:46 – Një qytetar godet me grusht Sali Berishën
Një qytetar ka sulmuar kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha mesditën e sotme teksa ai ishte duke ecur në krah të Ilir Metës drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë.
Mësohet se qytetari e ka goditur Berishën me grusht në fytyrë. Kryedemokrati është gjakosur në fytyrë.

 

Back to top button