Një shitës i zoti gjithmonë gjen mënyra inovative për të shitur produktet e tij

Shitja e produktit kërkon pasion dhe kreativitet

Bota po evoluon kaq shpejt sa madje në çdo 24 orë dëgjojmë për produkte dhe shërbime të reja të shpikura. Mirëpo që këto produkte dhe shërbime të njihen nga masa e konsumatorëve potencialë dhe më pas të blihen duhet që të prezantohen fillimisht nga ata që quhen agjentë shitjesh.

Duhet më shumë sesa thjesht reklama në Facebook që të shesim produktet dhe shërbimet tona në të ardhmen – duhen njerëz entuziastë dhe që besojnë në atë që po shesin.

Nëse ju mendoni se pozicionet në fushën e shitjeve janë për njerëz të cilët gënjejnë për atributet e produkteve në mënyrë që të gjenerojnë më shumë shitje, janë bezdisës dhe agresivë në mënyrën sesi i prezantojnë produktet dhe sesi mundohen t’ju bëjnë të blini, atëherë mendoni gabim.

Mendoni për Steve Jobs; ai ishte në fakt një shitës, ose Alexander Graham Bell i cili udhëtoi në gjithë botën për të shitur telefonin e parë në histori.

Pra që të shesësh konceptin duhet pasion dhe kreativitet që sigurisht vjen nga burimet më me vlerë që janë ato njerëzore.

 Idetë e mëdha kërkojnë përfaqësim të denjë

Askush nuk dëshiron të shesë diçka për të cilën nuk beson në të. Organizata jo fitimprurëse, korporatat apo startup-et të gjitha duan individë të zgjuar, të rinj, entuziastë me anë të të cilëve të arrijnë të shpërndajnë mesazhet që duan te publiku ku ata synojnë.

Pra nuk ka rëndësi sa inovativ apo revolucionar është produkti ose shërbimi, janë burimet njerëzore ata që bëjnë që produkti apo shërbimi të ketë sukses. Kështu që merreni në konsideratë angazhimin në një punë të tillë.

Fitoni ndërkohë që punoni

Duke marrë parasysh kohën e shpenzuar për të bërë një punë dhe kthimi në të ardhura që merret nga kjo punë, mund të themi se punët e shitjeve kanë kthimin më të lartë. Punonjësit që merren me shitjet shpesh bëhen punonjësit më të informuar në kompani, komunikues ekselentë dhe ekspertë të markave të cilët frymëzojnë vetëbesimin se kompania po ecën mirë dhe po rritet. Gjithashtu këta persona jane dhe më të paguarit. Udhëtimet janë një element thëlbësor i karrierrës së tyre ndërsa për personat e rinj është një vlerë e shtuar nga e cila mund të përftitojnë avantazh të plotë. Vlen për tu përmenduar fakti se nuk ka dallime në pagë përsa i përket gjinisë. Gjithçka vlerësohet në bazë të meritës, pra nëse kontributet janë të mëdha atëherë edhe shpërblimet janë të tilla.

Bëhuni kreativë

Nëse mendoni se puna e një personi që merret me shitjet është t’i shtyjë njerëzit t’i blejnë me zor produktet dhe shërbimet që nuk duan, duke përdoru forma jo të ndershme, atëherë ju gaboheni. Një agjent shitjesh i zoti gjithmonë gjen mënyra inovative për të shitur produktet e tij. Pra ju duhet të jeni të aftë të shisni, por të shisni në mënyra të duhura dhe interesante për konsumatorët në mënyrë që këta konsumatorë të rikthehen për ta blerë përsëri produktin apo shërbimin tuaj. Që të bëni një prezantim të mirë të produktit apo shërbimit, duhet të zhvilloni aftësi të mira në të folur si edhe në mënyrën si ju do i bindni konsumatorët tuaj. Kjo kërkon njohuri, imagjinatë dhe kreativitet.

Jini të gjithanshëm

Finesa, empatia, aftësitë negociuese dhe diplomatike, janë gjëra që fitohen me kalimin e kohës dhe që nuk mund të mësohen përnjëherë. Aftësia për të folur me të tjerët, për t’ju prezantuar atyre ide, për të kuptuar reagimet e tyre dhe për të lexuar në mendjet e tyre, kërkon kohë dhe praktikë. Nuk ka rëndësi sa kreativ, ose sa i zgjuar jeni, në rast se ju nuk mund të ndani në mënyrë efektive mendimet dhe idetë me të tjerët. Në rast se ju arrini t’i përvetësoni këto aftësi do kuptoni që do ju shërbejnë shumë pavarësisht drejtimit që merr jeta juaj.

Back to top button