Njësia e policisë shpërbëhet pas vdekjes së një qytetari

Departamenti i Policisë së Memfisit ka shpërbërë të ashtuquajturën njësi speciale Scorpion, oficerët e së cilës akuzohen për vrasjen e Tire Nichols.
Scorpion do të thotë “Operacioni i krimeve në rrugë për të rivendosur paqen në lagjet tona”.
Njësia është e përbërë prej 50 personash me mision uljen e niveleve të krimit në zona të veçanta.
Por tani ajo është duke u shfuqizuar pasi oficerët e saj u panë duke rrahur Nichols një 29 vjeçar, në videot e 7 janarit.
Në një deklaratë, departamenti tha se “është në interesin më të mirë të të gjithëve që të çaktivizohet përgjithmonë” njësia.
Familja e Nichols e mirëpriti vendimin në një deklaratë nga avokatët e tyre, duke e quajtur atë “të përshtatshëm dhe proporcional me vdekjen tragjike të Tire Nichols, dhe gjithashtu një vendim të denjë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e Memfisit”.
Njësia u lançua në tetor 2021 me fokus në krimet me ndikim të lartë, të tilla si vjedhjet e makinave dhe veprat penale të lidhura me bandat.
Pesë oficerët – Tadarrius Bean, Demetrius Haley, Desmond Mills Jr, Emmitt Martin III dhe Justin Smith – u pushuan nga puna javën e kaluar.
Ata u morën në paraburgim të enjten dhe secili përballet me akuza për vrasje të shkallës së dytë, sulm të rëndë, rrëmbim të rëndë, sjellje të pahijshme zyrtare dhe shtypje zyrtare./21Media

Back to top button