Njohësit e ekonomisë flasin për pronat e Kosovës jashtë saj

Rreth 200 prona të patrajtuara

Njohës të ekonomisë thonë se përveç diplomacisë politike edhe diplomacia ekonomike së bashku me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) do të duhej t’i trajtojë pasurit e Kosovës që gjenden jashtë vendit dhe t’i kthehen ekonomisë së Kosovës, respektivisht shtetit të Kosovës.

Ndërmarrjet shoqërore jashtë vendit të cilat kanë mbetur ende të patrajtuara nga autoritetet e Kosovës janë rreth 179, prej tyre mbi 110 sosh janë vetëm në Serbi. Asete të pashitura të Ndërmarrjeve Shoqërore përveç Trepçës, jashtë Kosovës janë 162 ndërmarrje, prej tyre 99 ndërmarrje të Kosovës figurojnë në Serbi, 35 ndërmarrje në Malin e Zi, 35 ndërmarrje në Bosnje dhe Hercegovinë, shtatë ndërmarrje në Maqedoni, pesë në Kroaci dhe një në Slloveni. Kurse, vetëm asete të ndërmarrjes Trepça jashtë Kosovës janë 17, prej tyre 11 në Serbi, 3 në Kroaci dhe 3 në Bosnje e Hercegovinë.

Profesori në Fakultetin Ekonomik në UP, Nagip Skenderi thotë se Serbia ka dëmtuar Kosovën edhe në aspektin ekonomik, duke ia grabitur pronat kosovare ekonomike, sidomos ato që janë jashtë vendit.

Ai thotë se Kosova në periudhën e ish-Jugosllavisë ka dhënë rezultate të dukshme sidomos përmes disa subjekteve ekonomike që kanë qenë të forta si Trepça dhe disa kombinate të tjera, prandaj, ato duhet trajtuar dhe t’i kthehen shtetit të Kosovës si pasuri të saj.

“Në kuadër të diplomacisë politike ekziston edhe diplomacia ekonomike me të cilën shteti i Kosovës ishte dashur me bashkësinë ndërkombëtare t’i trajtoj pasuritë e veta si njërin nga pasuritë të cilat janë rezultat i punës së faktorëve të ekonomisë së Kosovës qoftë në aspektin e pasurive natyrore respektivisht shtetërore dhe kështu këto asete duhet t’i kthehen ekonomisë së Kosovës respektivisht shtetit të Kosovës. Megjithatë Agjencia Kosovare e Privatizimit me iniciativën e vet dhe me ligjet e miratuara në kuvend duhet të kontribojë që të gjitha këto prona t’i kthehen shtetit të Kosovës dhe kjo e drejtë do të duhej të realizohet pse jo të hyn edhe në bisedimet e Brukselit midis Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë për ndarjen në mënyrë të drejtë dhe proporcionale për aq sa i takon Kosovës”, theksoi profesori Skenderi.

Ndërsa, kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit Gashi nuk ishte në gjendje të flas shumë për këtë temë, përveç që ka theksuar se Kosova prej aseteve shtetërore të paprivatizuara jashtë vendit ka më së shumti në Serbi.

Gashi theksoi se kanë krijuar një Komision të veçantë për trajtimin e pasurive të Kosovës jashtë vendit, i cili do të jetë në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme. Kjo len të kuptohet se ende nuk ka rezultate në këtë drejtim.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk janë prononcuar për këtë temë.
Profesori Nagip Skenderi ka shprehur idenë për shfrytëzimin e këtyre pronave jashtë vendit të paktën për vendosje të ambasadave kosovare, sepse Kosova vetëm në Bruksel ka pronë të vetën për ambasadë, ndërsa në të gjitha shtetet tjera për shfrytëzimin e objekteve të ambasadave paguhen me qira, e cila sipas tij, është bukur e lartë

Back to top button