“Nuk guxon me dalë prej banesës”, paraburgim për personin që ngacmoi ish të dashurën

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj të pandehurit E.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Ngacmimi”.
“Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar: Nga data 06 shkurt deri më 07 shkurt në Prizren, i pandehuri E.S., vë personin tjetër – përkatësisht të dëmtuarën, nën vëzhgim në një sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme duke komunikuar me qëllim të ngacmimit dhe frikësimit, në atë mënyrë që për shkak se e dëmtuara me të pandehurin ka shkëputur lidhjen e tyre duke kërkuar nga ai që të mos e pengoj në të ardhmen, i pandehuri vazhdon të komunikoj me të njëjtën në mënyrë të drejtpërdrejt si dhe përmes telefonit duke i dërguar mesazhe elektronike, mban nën vëzhgim duke qëndruar para banesës së saj dhe pasi e dëmtuara e paraqet rastin në polici i pandehuri shkon përsëri para banesës së të dëmtuarës duke i thënë “nuk guxon me dal prej banesës, shko hiqe deklaratën që e ki dhënë në polici…”, me ç’ rast tek e dëmtuara shkakton shqetësim të madh, frikë dhe pasiguri për jetën e saj dhe të vajzës së saj me të cilën jeton. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas Gjykatës, caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurit është masë e arsyeshme dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës./21Media

Back to top button