Nuk ndërpritet greva në arsim

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci takoi sot përfaqësuesit e SBASHK-ut.
“Secili prej nesh e kemi obligim moral e ligjor të sigurohemi për mirëqenien e fëmijëve dhe garantimin e së drejtës së tyre për arsim”, ka thënë Nagavci.
Nagavci kërkoi nga përfaqësuesit e SBASHK-ut, që mësimdhënësit që nga e hëna të fillojnë procesin mësimor ndërkohë që dialogu do të vazhdojë.
Ndonëse greva është shpallur nga BSPK për 84 mijë zyrtarë publikë, ajo tha se pjesa më e madhe e punëtorëve janë në vendet e tyre të punës, kurse ata që po pësojnë nga greva e shpallur janë rreth 320 mijë nxënës që kanë mbetur jashtë bankave shkollore.
Ministrja i informoi përfaqësuesit e SBASHK-ut në lidhje me masat e fundit të Qeverisë për pakon prej 150 milionë eurosh, ku përfshihen edhe mësimdhënësit, si dhe veprimet që i ka ndërmarrë MAShTI sa i përket përmirësimit të kushteve të mësimdhënësve.
Ndërkaq, përfaqësues të Sindikatës kanë thënë se shtesa prej 50 eurosh e ndarë nga Qeveria nuk është e mjaftueshme dhe duhet të gjendet një zgjidhje për realizimin e kërkesës së tyre për 100 euro.
Ministrja Nagavci tha se MAShTI është për dialog dhe që Sindikata duhet të reflektojë në arritjen e një marrëveshje duke mos përdorur masa ekstreme.
Ndërkaq, ajo shtoi se diskutimet me SBAShK-un do të vazhdojnë sikur deri më tani./21Media

Back to top button