Nusja ngacmohet seksualisht nga vjehrri e rrahet nga burri

 

Gjykata Themelore në Pejë, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve I.M dhe B.M, për ngacmim seksual dhe dhunë në familje.

Sipas gjykatës i pandehuri me inicialet I.M vazhdimisht nga 24 janari deri më 15 shtator ka ngacmuar seksualisht nusen e djalit.

“Nga data 24.01.2020 e në vazhdimësi gjer me datë 15.09.2020, ngacmon seksualisht personin tjetër dhe atë nusen e djalit të tij, në atë mënyrë që pasi kjo e fundit ishte martuar me djalin e tij, i pandehuri deri sa e dëmtuara ishte vetëm në shtëpi shkon dhe e ngacmon ndërsa e dëmtuara e refuzon deri sa nga shqetësimi i madh vendos ta lajmëroj policinë”, thuhet në komunikatën për media.

Me këto veprime i pandehuri I.M dyshohet se ka kryer vepër penale ngacmim seksual.

Ndërsa i pandehuri B.M kishte ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.

“Në vazhdimësi ndaj anëtarit të familjes, këtu të dëmtuarës me të cilën ishte e martuar që rreth dy vite, ushtron dhunë, keqtrajtim fizik dhe psikologjik në mënyrë sistematike duke ju drejtuar me fjalë të ndryshme dhe në mënyrë të vazhdueshme duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit për çka e njëjta detyrohet të marrë edhe qetësues”, thuhet tutje në komunikatë.

Me këto veprime i pandehuri B.M dyshohet se ka kryer vepër penale dhunë në familje.

Të pandehurve iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

Kundër këtij vendimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./21Media

Back to top button