Nxënësit e mësimdhënësit tregojnë vështirësitë e mësimit në pandemi

 

Viti 2020 po konsiderohet si më i vështiri për sistemin arsimor, por që udhëheqës të institucioneve thanë se përkundër vështirësive, procesi mësimor gjatë vitit të pandemisë ka qenë i suksesshëm.

Mbyllja e shkollave ka qenë një nga vendimet e para që është marrë në funksion të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19 në vend. Ende nuk kishte raste pozitive me koronavirus kur ishte ndërprerë procesi mësimor në mars të vitit të kaluar, e ku janë dashur javë që nxënësit të fillonin të ndjekin mësimin online.

Gjysmëvjetorin e dytë të vitit të shkollor 2019/2020, nxënësit e kanë përfunduar larg bankave shkollore. Ata janë rikthyer në shkolla tek në shtator, ku mësimi është organizuar në bazë të tre skenarëve. Skenari A ka paraparë mësimin në shkolla, skenari B mësim i kombinuar në shkollë dhe online, ndërsa skenari C ka paraparë mësimin online.

Në shkollat ku procesi mësimor është zhvilluar sipas skenarit A, nxënësit e mësimdhënësit ishin të detyruar që gjatë qëndrimit në klasa të jenë të pajisur me maska dhe të mbajnë distancën.

Mbajtja e mësimit me maska, ndërrimi i shpeshtë i skenarëve të mësimit kur në shkolla paraqiteshin raste me COVID-19, janë disa nga sfidat që nxënësit kanë pasur gjatë vitit që e kemi lënë pas.

Jora Maloku është nxënëse e klasës së 7 në shkollën “Faik Konica”, në Prishtinë, e cila tha se mësimi gjatë vitit 2020 ka qenë shumë i vështirë për të.

“Ky vit ka qenë vit pak më i vështirë se të tjerët, pasi që e kemi bërë të pamundurën për ta mbajtur mësimin në shkolla. Ky vit për mua ka qenë pak më i lodhshëm se të tjerët pasi që është dashur ta dyfishojmë punën tonë si nxënës, pasi që jemi dashur edhe të merremi pak më shumë me shpjegime vet, na kanë ndihmuar edhe prindërit edhe arsimtarët. Të gjithë pra kemi kaluar një gjysmëvjetor pak më ndryshe se të tjerët”, tha ajo.

E mbajtja e mësimit me maskë, ajo tha se ka qenë e vështirë por që gjithmonë i kanë respektuar masat.

Procesin mësimor në kohë pandemie me sfida, tha se e ka kaluar edhe Joni Hyseni, nxënës i klasës së 8 në shkollën “Faik Konica”. Ai tregoi edhe vështirësitë që ka pasur gjatë kohës kur mësimin e ka mbajtur online.

“Normal kemi pasur sfida se gjithherë ose nuk ka bërë interneti ose është ndal rryma ose kemi pasur ndonjë problem teknik, por i kemi kaluar ato, po më mirë që në shkollë të mbajmë se në shkollë është edhe më lehtë me arsimtarët e online mundesh për shembull mos me qenë shumë interaktiv”, u shpreh ai.

Ndalja e rrymës, mungesa e internetit janë disa nga vështirësitë që i ka pasur edhe Ema Kusari, nxënëse e klasës së 6 në shkollën “Faik Konica”, gjatë kohës kur mësimi është mbajtur online.

Duke qenë se mësimi është mbajtur me orar të shkurtuar, Ema u shpreh se është ndarë e kënaqur edhe me njohuritë që ka marrë gjatë vitit 2020, po edhe me vlerësimin që i është bërë nga mësimdhënësit.

“Gjatë kësaj periudhe unë kam qenë e kënaqur sepse më kanë dhënë shansa të dyta për t’i përmirësuar notat, por njëra nga gjërat që nuk më ka pëlqyer është se unë sikur fëmijë … ta marrë si shembull kam mësuar për tre ose katër lëndë dhe ka qenë shumë e vështirë për mua sepse në njërën kemi pasur test, në tjetrën kush nuk i di 5 pyetje i ulet nota dhe kështu ka qenë shumë e vështirë për mua të fokusohem në tre lëndë”, tregoi ajo.

Nëna e Emës, Shpresa Kusari, që në shkollë fillore ka edhe dy fëmijë të tjerë, tregoi se sa ka qenë e vështirë për të kur të tre fëmijët kanë pasur mësimin online në të njëjtën kohë. Ajo tha se në vitin 2020, prindërit kanë pasur barrën më të madhe për t’iu siguruar pajisjet teknologjike për fëmijët kur mësimi është mbajtur online.

Si prind ajo u shpreh se është e kënaqur me vlerësimin që u është fëmijëve të saj gjatë vitit 2020, derisa shtoi se përkundër frikës nga infektimi i fëmijëve me COVID-19, preferon që mësimi të mbahet në shkolla.

Të njëjtën kërkesë e kanë edhe mësimdhënësit, të cilët thanë se përkundër vështirësive, mësimi në objektet shkollore është me efektiv.

Donika Xhemajli, mësimdhënëse e lëndës së historisë në shkollën “Faik Konica”, në Prishtinë, tha se përkundër vështirësive kanë arritur të bëjnë më të mirën që nxënësit të marrin njohuritë e duhura.

Ndërprerja e mësimit dhe kalimi i mbajtjes së procesit mësimor online, Xhemajli tha se ka qenë koha më sfiduese, por që thotë se tashmë janë adaptuar.

“Ajo ka qenë ndoshta koha më sfiduese, e vërtetë që atëherë bash kemi pasur vështirësi të ndryshme për shkak se derisa jemi përcaktuar për çfarë platforme online duam ta përdorim, derisa i kemi kyçur nxënësit, derisa jemi koordinuar me e-mësimin. Ishin krejt rrethana të reja, se shkolla nuk e ka idenë me punu prej distancës, do të thotë fëmijët vijnë në shkollë, mësojnë prej njëri tjetrit dhe neve na u ndërrua komplet situata, kështu që, na ka marrë kohë derisa jemi adaptuar, por sivjet këtë vit shkollor kemi qenë goxha gati”, u shpreh ajo.

Për të mbrojtur veten e nxënësit nga infektimi me COVID-19, Xhemajli tha se është kujdesur që gjatë gjithë kohës të jetë me maskë, e të njëjtën gjë potencon se e ka kërkuar në vazhdimësi edhe nga nxënësit e saj. Anipse tha se ligjërimi me maskë ka qenë shumë i vështirë, ajo shtoi se tashmë është mësuar të funksionojnë si arsimtare me maskë.

Në anën tjetër, Ibe Gashi-Demolli, mësuese e matematikës në shkollën “Faik Konica”, tha se mbajtja e maskës dhe respektimi i distancës është shumë i vështirë në lëndët shkencore, megjithatë ajo tha se është kujdesur që në asnjë rast të mos rrezikojë nxënësit e saj.

“Është një sfidë shumë e madhe, mirëpo duke pas parasysh që nxënësit i kemi tash në shkollë është pak më e lehtë prej vitit të kaluar shkollor kur nxënësit i kemi përfunduar notat edhe nxënësit nuk i kemi pasur fare pranë. Po është sfiduese, po nxënësve tërë kohën jemi duke iu dhënë mundësi që ata gjithherë me u mundua me e tregua vetën edhe nëse ndonjëherë kanë dështuar në ndonjë vlerësim atëherë herën tjetër po i japim mundësi që me i paraqitë ato njohuritë e veta dhe me u mundua me i përmirësuar notat”, tha ajo.

Vitin 2020 për sistemin arsimor, Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e quajti më të rëndin që nga pas lufta. Përkundër të gjitha vështirësive, ai tha  se mësimdhënësit kanë bërë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Jo në të gjitha institucionet arsimore ka pasur kushte të mjaftueshme mbrojtëse për nxënësit dhe mësimdhënësit. E keqja më e madhe është se DKA-të nuk e kanë kryer detyrën e tyre karshi mësimdhënësve të Kosovës, ngase me insistimin e SBASHK-ut dhe me angazhimin e MASH-it qeveria e Kosovës kishte ndarë mjetet e mjaftueshme për dy çështje kyçe, që të ketë mjete të mjaftueshme buxhetore për kolegët tanë që i zëvendësojnë kolegët e prekur me COVID, pra ata që punojnë me mbi norma të kompensohen, kjo nuk është bërë ashtu siç duhet në asnjërën komunë. Ajo që është për t’u kritikuar më shumë institucionet, e veçmas DKA-të është ngase me insistimin tonë dhe me angazhimin e MASH-it prapë në Qeverinë e Republikës së Kosovës u nda buxhet i mjaftueshëm që të kenë paga të rregullta kolegët tanë të sëmurë rëndë me sëmundje si kanceri dhe të tjera, por kjo çështje nuk ka shkuar siç duhet dhe unë po them fajin e vetëm e kanë DKA-të të cilat nuk punuan me kohë, nuk i liruan të gjithë mësimdhënësit e sëmurë rëndë nga procesi mësimor”, tha ai.

Gjatë mësimit në kohë pandemie, Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard tha se është lënë anash aspekti emocional i nxënësve dhe mësimdhënësve. Këtij aspekti, ai thotë se nuk i është kushtuar fare rëndësi, derisa ka kritika edhe për mbarëvajtjen e mësimit online.

Gjatë mësimit në kohë pandemie, edhe Arian Musliu, psikolog nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore tha se nga institucionet nuk i është kushtuar kujdes shëndetit mendor të nxënësve dhe mësimdhënësve.

Përkundër të gjitha vështirësive në organizimin e mësimit në kohë pandemie, ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj u shpreh se kanë arritur të bëjnë më të mirën.

Ai tha se gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021, ka qenë i suksesshëm, derisa përmend se organizimi i mësimit përmes tre skenarëve ka qenë i duhuri.

“Për shkak të rrethanave në të cilat jemi nuk është vit i humbur, ne i kemi përcjell kam shkuar në shkolla, krejt vizitat që i kam bërë kanë qenë pa media …. kam shkuar në mënyrë të rastësishme dhe i kam gjetur duke i zbatuar 100 përqind udhëzimet që i kanë pasur, kam gjetur edhe shkolla që fare nuk e kanë përfill master planin por kanë mbajtur mësim 40-45 minuta dhe gjithmonë në skenarin A, janë komuna që asnjëherë nuk kanë lëvizur prej skenarit A”, tha ai.

Që nga fillimi i vitit shkollor 2020/2021, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se për COVID-19 janë testuar 10 mijë e 823 mësimdhënës prej të cilëve pozitiv kanë rezultuar 1 mijë e 615. Ndërsa, janë testuar 6 mijë e 792, nxënës dhe pozitiv kanë rezultuar 1 mijë e 173.

Në bazë të kalendarit shkollor mësimi në Kosovë është dashur të përfundojë më 24 dhjetor 2020 dhe të fillojë më 8 janar 2021, por për shkaqe të mospërhapjes së COVID-19, gjysmëvjetori i parë ka përfunduar më 18 dhjetor dhe do të do të nis më 18 janar./kp

Back to top button