OAK: Të lejohen banjat (llixhat) që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre

 

Oda e Afarizmit të Kosovës i është drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me një shkresë ku ka kërkuar që të lejohet ushtrimi i veprimtarisë së punës për banjat (llixhat) e Kosovës.

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) shprehet e shqetësuar lidhur me çështjen e banjave (llixhave) dhe ka kërkuar që të shtyhet ky proces përpara duke lejuar hapjen e tyre.

Sipas banjave, tani e 7 muaj 3 banjat me gjithsej 1000 punëtorë shumica e profesionit shëndetësor si doktorë specialistë, fizioterapeutë, infermiere e staf tjetër teknik janë të papunë dhe nuk fitojnë asnjë të ardhur tjetër duke i lënë punëtorët, qytetarë të Republikës së Kosovës në mëshirën e kohës.

Banjat potencojnë që një anomali tjetër është se vet MSH ka nxjerrë Manualin për parandalimin e COVID-19 për sektorin e gastronomisë, ordinancat specialistike dhe fizioterapitë, ku të njëjtat shërbime të cekuara në manual kryhen në banja, të cilat janë ndaluar së funksionuari.

Gjatë këtyre muajve qytetarët e Kosovës, në pamundësi që t’i marrin shërbimet e kujdesit shëndetësor në Kosovë kanë vizituar qendrat rajonale në Shqipëri, Maqedoni, Mali të Zi dhe Serbi.

Andaj OAK ka kërkuar nga ministri që të shqyrtojë këtë vendim dhe të bëjë hapjen e Banjave në Kosovë që janë të licencuara në MSH si Spitale Speciale dhe janë pjesë e institucioneve shëndetetësore të kujdesit shëndetësor, thuhet në letrën e dërguar.

OAK ka konsideruar se deri më tani ka një dështim të Qeverisë për mbështetje financiare për bizneset, për mbulimin e pagave për punëtorë të sektorëve të mbyllur me vendim të Qeverisë dhe kjo, sipas OAK, po e bënë të pamundur mbijetesën e punëtorëve të këtyre bizneseve.

Back to top button