OAK: Të lirohen çerdhet dhe të hiqen kufizimet

 

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) është shprehur shumë e shqetësuar me zhvillimet e fundit dhe masat e ndërmarra nga Qeveria pa konsultim paraprak me bizneset, dhe kërkon që të hapen urgjent çerdhet dhe të hiqet kufizimi që ndalon grumbullimin e më shumë se 5 personave për biznese dhe aktivitetet e bizneseve.

OAK konsideron se deri më tani kemi një dështim total të Qeverisë më mbështetje financiare për biznese, për mbulimin e pagave për punëtorë të sektorëve të mbyllur me vendim të Qeverisë dhe duke u ndaluar edhe dhënia e kredive të rregullta po e bënë të pamundur mbijetesën e qytetarëve dhe bizneseve, gjë që po ndikon drejtpërdrejt edhe tek shteti.

“Rënia e të hyrave është duke dërguar në katastrofë ekonomike vendin si pasojë e zhvillimit të politikave për vendin. Kërkesat e vazhdueshme të bizneseve duket se janë duke hasur në vazhdimësi në vesh të shurdhër të institucioneve tona qoftë në Qeveri apo Parlament, duke mos u përkrahur as rishikimi i buxhetit me urgjencë apo edhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Andaj, ne kërkojmë me urgjencë të hiqen këto kufizime dhe para çdo vendimi për mbyllje të biznesit, duhet të marrë mbështetje financiare paraprakisht nga Qeveria biznesi dhe punëtorët e atij sektori”, thuhet në komunikatën e OAK-ut.

Sipas tyre, shteti duhet të ndalojë qasjen diskriminuese në mes të punësuarve në institucionet publike dhe atyre private, të cilët edhe pse 80% e tyre nuk kanë punuar për shkak të pandemisë kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin paga të plota ndërsa të punësuarit në sektorin privat as lëmoshën 170 € për një muaj nga katër sa kanë kaluar ende nuk e kanë përfituar të gjithë.

“Për dijeni të opinionit publik, 80% e të hyrave të shtetit sigurohen nga biznesi dhe punëtorët e e këtij sektori. Ashtu siç e garanton edhe kushtetuta e vendit shteti duhet të jetë i barabartë më të gjithë”, përfundon komunikata.

Back to top button