Oda Turke: Plaçkitjet në banka po krijojnë pasiguri te investitorët e huaj

Plaçkitjet po krijojnë shqetësim

Kohëve të fundit në Kosovë janë shtuar rastet e vjedhjeve në banka. Lidhur me këtë ka reaguar Oda Tregtare Kosovaro-Turke, e cila përmes një komunikate ka vlerësuar se plaçkitjet e vazhdueshme janë bërë kërcënim për tërë sektorin dhe shoqërinë dhe se kanë arritur përmasa alarmuese. Madje, sipas tyre këto grabitje po krijojnë pasiguri edhe te investitorët e huaj.

“Por, për fat të keq, plaçkitjet e vazhdueshme të bankave, të cilat kohët e fundit janë bërë kërcënim për tërë sektorin dhe shoqërinë, kanë arritur përmasa alarmuese. Shqetësimi i sektorit bankar nuk përbën vetëm goditje kundër zhvillimit ekonomik të vendit, por dëmtim të perceptimit të qytetarëve ndaj këtij sistemi dhe grusht kundër të ardhmes së Kosovës. Grabitjet dhe vjedhjet jo vetëm që po krijojnë një mjedis të pasigurtë në sytë e qytetarëve, por edhe po ngrehin shqetësime rreth përdorimit të burimeve financiare të zhvatura në organizatat kriminale dhe aktivitetet e paligjshme. Nga ana tjetër, në sytë e investitorëve të huaj, këto plaçkitje po japin një bindje të paqëndrueshmërisë së rendit dhe sigurisë publike të vendit tonë, që do të thotë se dëmi më i madh po u shkaktohet shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.”, bëhet e ditur në njoftimin e Odës.

Më tej kjo odë shpreh shqetësimin e bankave që përfaqëson dhe u bën thirrje autoriteteve të trajtohet kjo çështje me ndjeshmëri dhe autoritet.

“Oda Tregtare Kosovaro Turke shpreh shqetësimin e katër bankave të cilat i përfaqëson, si dhe shqetësimin e tërë sektorit bankar lidhur me këtë fenomen. Ai përbën kërcënim jo vetëm për sektorin bankar por edhe për sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe të ardhmen e investimeve të huaja aq të nevojshme për vendin tonë. Me këtë rast ne u bëjmë thirrje autoriteteve dhe politikanëve të vendit që të trajtojnë këtë çështje me ndjeshmëri dhe seriozitet, ndërsa ftojmë autoritetet publike dhe zbatuesit e ligjit që të marrin masa më të rrepta për të garantuar siguri më të madhe dhe stabilitet në vend.”, bëhet e ditur në reagim.

Në dhjetor të vitit që lamë pas, gjatë një grabitjeje në filialin e bankës NLB në Istog, ka mbetur i vrarë polici Izet Demaj. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:35, kur një grabitës ka tentuar të plaçkitë filialin e bankës NLB në Istog. Personi i dyshuar në përpjekje për t’u larguar nga vendi i ngjarjes ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar t’i përgjigjen me armë zjarri duke e lënë të plagosur personin e dyshuar./21Media

Back to top button