Kaloni te përmbajtja kryesore

Operacioni “White Star”: Pesë të arrestuar, sekuestrohen armë, drogë dhe mijëra euro

Pesë persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “White Star”, i zhvilluar sot në disa lokacione të Kosovës, njoftuan në një komunikatë të përbashkët Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Aksioni është realizuar në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, nën monitorimin e Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore.

Sipas autoriteteve, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit special, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, si dhe pastrimit të parave.

“Pesë (5) personat janë ndaluar me vendim të prokurorit special për 48 orë, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale: · pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; · blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave. Gjatë realizimit të urdhër kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar prova relevante dhe pasuri të specifikuara duke përfshirë: · 6 armë; · 5 karikatorë; · Lëndë narkotike e llojit kokainë 9.67 gr; · Fara mbjellëse të llojit marihuanë 35,18 gr; · 239 fishekë 239; · 25 telefona 25 ;· 7595 para të gatshme në euro; · 10 automjete dhe 1 motoçikletë; · 10 kompjuterë; · 13 USB dhe 1 DVR; · 16 ora dore etj”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Operacioni është mbështetur nga EUROPOL-i, si dhe autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës. Sipas njoftimit, përfaqësues të këtyre institucioneve, së bashku me prokurorin e rastit, kanë monitoruar nga afër zhvillimin e aksionit.

“Operacioni është mbështetur nga EUROPOL-i, autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës. Pjesëtarë të këtyre insitucioneve, së bashku me prokurorin e rastit kanë monitoruar operacionin policior nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës thanë se janë të përkushtuar për luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit, duke theksuar se do të vazhdojnë bashkëpunimin institucional dhe veprimet e koordinuara për hetimin dhe ndjekjen e veprave penale.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button