Opozita konsideron se çështja e krimeve të luftës nuk është primare për Qeverinë Kurti

Vasfije Krasniqi, Shyrete Tahiri, Fahrije Hoti dhe Elhame Muçolli shoqëruan presidenten, Vjosa Osmani, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Përjetimet e këtyre katër grave shfaqën në mëyrën jo të zakonshme të realitetin për plagët e tyre të hapura, edhe për faktin se autorët e krimeve të luftës në Kosovë janë në liri.

Presidentja Osmani, e vuri në siklet të madh presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, teksa i kërkoi që t’u përulet me një kërkim falje viktimave të luftës në Kosovë.

Praninë e grave heroina në Këshill të Sigurimit e vlerësoi lart deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.

“…mendoj që presidentja e Kosovës bëri shumë mirë që mori 4 heroinat dhe në audiencë përshfaqi fytyrën e Serbisë, për shkak se Vuçiq tenton që ende ta luaj rolin e viktimës duke mos pranuar që Serbia ka kryer gjenocid dhe duke mos pranuar që Serbia ka dhunu mijëra gra, e ka vra mijëra civil, ka bërë mijëra masakra gjenocidale. Prandaj, ishte edhe vendi e momenti i duhur që Serbisë t’i tregohej që ka distancim nga ajo kohë. Pa kërkim falje nuk mund të ecet përpara prandaj duhet edhe bota ta kuptoj dhe ta rimendoj raportet sa i takon Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të ketë zhvillim pozitiv tek këto raporte përderisa ata nuk bëjnë asnjë hap drejtë asaj që të kërkojnë falje të paktën…”, tha Dugolli për rtv21

Se tragjeditë e kosovarëve për ditë e më shumë po rëndohen e thotë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmani, pasi kryesit e krimeve nuk morën përgjigjen e merituar.

“…për fat të keq unë nuk po e shoh angazhimin e kësaj Qeverie. Po thuajse angazhimi është minimal, nëse dikur kanë thanë që do ta padisin Serbinë për gjenocid është harru kjo temë, asnjë hap konkret asnjë veprim konkret….institucionet e Kosovës nuk duhet të mbesin në simbolizma. Mirë që janë marrë me vete, mirëpo unë mendoj se ato meritojnë dicka tjetër, meritojnë që dhunuesit të jenë prapa grilave. Kosova mund ta bëjë këtë, duke i bërë Serbisë, mirëpo po e shoh këtë Qeveri në çështje e sjellje simbolike që mund të sjellin ndonjë votë nesër…”, tha Selmani

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, vlerëson se viktimat e dhunës seksuale duhet përkrahur në çdo aspekt sepse rrethi familjar dhe ai shoqëror nuk është bashkëpunues.

“…A duhet të bëhet më shumë në rrugën e casjes në drejtësi? Duhet, në për cdo ditë kemi raste që gratë, burrat nuk janë ndoshta më të gatshme për me dëshmu ose vdesin dhe bashkë me to vdes edhe e vërteta, kështu që në këtë drejtim mendojmë se institucionet e Kosovës duhet të jenë edhe më shumë të interesuar, në kuptimin e ofrimit të një çasje të tatillë për me arritë me dëshmu. Nuk është e lehtë sidomos për krimet e dhunës seksuale për me dëshmu aq më shumë kur stigma dhe paragjykimi ende mbizotron në familje e komunitet, kështu qe duhet bërë çmos që këtyre grave e burrave me ju ofru mundësi sa më të mira, që gjatë këtij procesi të arrijnë të dëshmojnë suksesshëm dhe t’i vënë ata që padrejtësisht trupin e njërzve e kanë përdorë si pjesë të fushëbetejës, dhe të cilët ende pasojat i bartin në familje…”, tha Rashiti.

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimit seksual./RTV21/21Media

Back to top button