Opozita kritikon Rizvanollin për shkurtimin e buxhetit për investime

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në seancën dëgjimore lidhur me Projektligjin për buxhetin për 2023 ka thënë se për herë të parë me planifikimet buxhetore, janë paraparë tri projekte të reja për sektorin e ujërave në vlerë prek mbi 20 milionë euro.
Gjatë raportimit të ministres Rizvanolli në Komisionin për ekonomi, opozita ka kritikuar ministren për shkurtimin e buxhetit për investime duke thënë se ka rritur atë për mallra dhe shërbime.
“Për herë të parë në buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë janë planifikuar tri projekte të reja që kanë të bëjnë në sektorin e ujërave. Është impianti për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Prishtinës, projekti i zhvillimit të ujërave të zeza në Gjilan dhe ndërrimi i impiantit të trajtimit të ujërave po ashtu në Gjilan si dhe projekti tjetër për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë. Këto projekte janë në vlerë rreth 22 milionë euro”, tha Rizvanolli.
Ministrja Rizvanolli theksoi se do të propozojnë një amendament në Ligjin për buxhetin 2023 për efiçiencë të energjisë në vlerë 5.26 milionë euro, pasi që siç tha ajo, mjetet buxhetore ekzistojnë nga kontigjenca e Ministrisë së Financave.
“Kemi nevojë për një amendament, të cilin do të preferonim të kishim, megjithëse mundemi edhe pa të, mirëpo do të ishte më mirë të bëhet edhe një amendament për mënyrën e shpenzimeve të këtyre mjeteve për efiçiencë të energjisë”, theksoi Rizvanolli.
Kryetari i komisionit, deputet i PDK-së Ferat Shala ka kritikuar ministren e këtij dikasteri për rritjen e buxhetit për mallra dhe shërbime, e në anën tjetër sipas Shalës ka shkurtim të buxhetit për shërbimin gjeologjik, departamentin e minierave, për trupat inspektuese, për efiçiencë të energjisë dhe mos rritjen e buxhetit për “Trepçën”.
“Agjencia e Kosovës për efiçiencë ka 70 për qind më pak buxhet se vitin e kaluar. Ndërsa, administrata qendrore me buxhet 2.9 milionë euro ka një rritje prej 2.2 milionë apo 300 për qind më shumë, kurse miniera e Trepçës me 3 milionë euro, njëjtë sikur në vitin e kaluar ose asnjë ndryshim financiar”, tha Shala.
Ministrja Rizvanolli ka arsyetuar rritjen e buxhetit për shërbime dhe mallra dhe theksoi se sa i përket “Trepçës”, kompania është në rrugë të mirë dhe mbështetja qeveritare për të nuk do të mungojë.
“Këtu janë disa projekte të cilat kërkojnë blerje të shërbimeve të ndryshme, sic janë shërbimet e trajnimit në rastin e projektit ekonomia digjitale”, theksoi ajo.
Sa i përket shumës së mjeteve për projektet e sektorit të ujërave, deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj ka thënë se këto mjete janë të pamjaftueshme.
Ndërsa, për mos ndarjen e mjeteve për efiçiencë të energjisë, Lekaj tha se edhe këtë vit dhe vitin tjetër qytetarët do të mërdhinë nga të ftohtit.
“Sa i përket asaj që keni premtuar për efiçiencë të energjisë, keni darë mjete 1.7 milionë euro që as për së afërmi nuk mbulojnë kërkesat e qytetarëve. Keni premtuar që të bëhen izolimet e shtëpive dhe me këtë shumë prej 1.7 milionë, prapë është shumë e vogël që mund t’i mbuloni kërkesat e qytetarëve. Mendoj që qytetarët, sa i përket izolimit që keni premtuar prapë do të mërdhinë edhe këtë vit, edhe vitin tjetër me këto shuma të mjeteve buxhetore”, theksoi Lekaj.
Në këtë mbledhje të komisionit, deputeti i Vetëvendosjes Armend Muja ka thurur lavde për të arriturat e pas dhjetë vjetëve në ndërmarrjen publike “Trepça”, vetëm në vitin e fundit, dhe ka thënë se “Trepça” është degraduar në vitet 2016-2020.
“Për shkak të humbjeve të mëdha që i ka pasur në sistem. Përderisa janë 17 milionë euro shpenzime dhe 8 milionë euro të hyra, natyrisht që humbjet nuk mundësojnë me I paguar punëtorët. As renta minerare nuk është paguar në 10 vjetët e fundit, prandaj kjo çështje duhet të trajtohet… Por, rritja e llogaridhënies po bien edhe rezultate. Kurse, është toleruar me operuar në degradim sidomos ndërmjet viteve 2016-2020. Ka pasur degradim të theksuar”, theksoi Muja.
Ndaj këtij qëndrimi të deputetit Muja, ka reaguar kryetari i komisionit, Ferat Shala, i cili e quajti gënjeshtar dhe manipulues deputetin Muja.
“Muja, për të satën herë po gënjen publikisht me shifra. Çështja e kursimeve (Trustit) të punëtorëve nuk ekziston. Manipulimet me shifra për çështje të caktuara të rentës, përsëri është manipulim, sepse Trepça nga hyrja në fuqi e kësaj ndërmarrje nuk ka obligime. Por, obligimet e Trepçës i kalojnë AKP-së… Po manipuloni dhe nuk ishte temë kjo çështje”, theksoi ai.
Ani pse nuk pati replikë ndaj Shalës, deputeti Muja tha se të dhënat për “Trepçën” janë të dhëna të raportuara nga kjo kompani, dhe kërkoi nga ministrja e Ekonomisë, të korrektohen të dhënat nëse ka manipulime.
“Këto të dhëna po paraqiten në Ministri të ekonomisë që po i raporton Trepça. Këto raporte ne po i marrim, ju (Ministria e Ekonomisë) duhet ta korrektoni, nëse vërtet është manipulim ose jo”, theksoi Muja.
Kryetari i Komisionit, deputeti Shala tha se shuma prej 3 milionë euro është e pamjaftueshme për “Trepçën”, dhe propozoi që për këtë ndërmarrje publike të ndahen 10 milionë euro.

Back to top button