Opozita kundërshton pezullimin e pagave për grevistët
Për pjesëmarrësit në grevë nga Ministria e financave është paralajmëruar pezullim nga paga.
E kjo ka ngjallë reagimin e opozitës.
Ish- kryeministri i Kosovës dhe aktualisht lideri i partisë opozitare AAK, Ramush Hardinaj u ka dalë në krah grevistëve duke kërkuar nga kreyministri Albin Kurti që të miratohet Ligji për Pagat, sidomos tani kur ka inflacion.
„Kryeministër mos e kërko fajin te punëtorët por te vetja jote. Ka më shumë se një vit e gjysmë që ti tallesh me ta, për të mos thënë se po i vjedhë ata.Punëtorët janë në të drejtën e tyre dhe grevat janë mjeti i vetëm që u ka mbetur në dorë, sepse kriza ekonomike e sociale ju ka mbërritur në asht.Ju kryeni punën tuaj. Miratojeni me urgjencë Ligjin e Pagave dhe reflektoni ndryshimet që kanë ndodhur. Ligji duhet të reflektojë rritjen enorme të çmimeve dhe inflacionin, që zyrtarisht ka mbërritur në 19.2%. Çdo formulë tjetër do t’u kthehet në bumerang. Është sosur durimi!!!”, ka shkruar Haradinaj.
Kurse, ish ministrja e financave Hykmete Bajarami dhe njëherësh deputete nga radhët e LDK-së, kaq thënë Partia në pushtet, Qeveria dhe Kurti duhet të gjejnë zgjidhje e jo të konfrontohen me grevistë.
“Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke premtuar zgjidhje për secilin problem në nivel lokal, në nivel qendror, në nivel mbarëkombëtar e ndërkombëtar.Tash, në vend të zgjidhjeve, Qeveria ka zgjedhur konfrontimi me sindikatat si rrugë e vetme. Kjo rrugë është e gabuar pasi pasojat do t’i bartin të gjithë e jo veç partia në pushtet dhe kryeministri Kurti. Edhe ideja për t’i ndëshkuar sindikalistët grevistë është vepër penale dhe nuk mund të realizohet në një shtet demokratik siç është Kosova. Ne kemi në fuqi Ligjin për Grevat, i cili i ka dhënë të drejtë punëtorit të organizojë grevë të ligjshme dhe i ka dhënë mbrojtje se askush s’mund të marrë masa ndaj tij pse ka hyrë në grevë të ligjshme. Ndëshkimet përmes komisarëve dhe komisariateve mund t’i bëjnë vetëm në parti por jo edhe në Qeveri.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryeministri Kurti kanë mbetur te tema e tabelave dhe nuk po merren me asnjë problem tjetër. As me problemin e arsimit. As me problemin e energjisë. As me problemin e ekonomisë. As me problemin e shëndetësisë. Në vend të zgjidhjeve, Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti kanë zgjedhur të mos flasin për asnjë temë tjetër përveç për tabela dhe për takime me Vucicin, dikur prioritet i fundit.”, kaq shkruar Bajrami e cila ka bashkangjitur paragrafin 2 të nenit 11 të Ligjit Nr. 03/L-200 për Grevat.
Ndërsa, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu tha se Vetëvendoejs ekur ishte në opozitë përkrahte hapur grevat.
“Sot në pushtet, vendimet e kësaj qeverie ndaj grevistëve janë skandaloze dhe nuk i ngjajnë aspak një shteti demokratik. Vetëm ish sistemet kanë penguar kërkesat e punëtorëve për mirëqenie më të lartë, pagë opimale e siguri në punë.Greva është e drejtë e garantuar me ligj!”, shkroi Deliu.
Në anën tjetër në një përgjigje për portalin rtv21.tv sekretari i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Enis Spahiu tha se ligi për greva është plotësuar që sipas tij nënkupton pezullimin nga paga për aq orë se grevistët nuk punojnë.
“Disa kolegë në rrjete sociale (mbase jo me qëllim të keq) nuk e kanë pasqyruar mirë dispozitën ligjore, meqë LIGJI Nr. 03/L-200 PËR GREVA, është plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 04/L-119 dhe kjo ndalesë e pagës është paraparë me këtë plotësim ndryshimin e Ligjit. Andaj, pezullimi i obligimit për me punu dhe i pagës është obligim ligjor.Pra, kjo i bie që edhe nëse për një orë një zyrtar është në grevë, për një orë nuk ka përgjegjësi për të punuar dhe nuk paguhet.”, thuhet në përgjigjen e Spahiut./21Media