Opozita thotë se e ka pranuar draftstatutin e Asociacionit

Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë konfirmuar se e kanë pranuar draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

PDK ka thënë se dje e ka pranuar një kopje të draftit nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

“Partia Demokratike e Kosovës dje e ka pranuar një kopje të draftit të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi”, ka thënë për portalin rtv21.tv zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka pohuar të njëjtën gjë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se drafti i është shpërndarë të gjithë anëtarëve të kryesisë se partisë dhe se ka kërkuar nga ta t’i bëjnë komentet e tyre lidhur me këtë draftstatut. Komentet do të diskutohen në mbledhjen e radhës që është thirrur më 7 dhjetor nga ora 17:00.

“Pas komenteve të anëtarëve të kryesisë, AAK do të dalë me qëndrim publik lidhur me draft-statutin e Asociacionit. Deri në atë kohë nuk do të ketë prononcime të tjera për këtë temë”, thuhet në kumtesën e AAK-së.

Back to top button