Kaloni te përmbajtja kryesore

Rikthimi në LDK, Osmani: Jam befasuar nga pritja 

(Lajm i përditësuar)

Rikthimi në LDK, Osmani: Jam befasuar nga pritja 

Vjosa Osmani ka deklaruar se bashkëpunimi me Lidhja Demokratike e Kosovës nuk përfundon me proceset zgjedhore, por do të vazhdojë edhe në afat më të gjatë, duke theksuar rëndësinë e konsensusit dhe stabilitetit politik.

Ajo tha se është e angazhuar në këtë garë për të ndihmuar ngritjen e LDK-së dhe për të kontribuar në forcimin e institucioneve.

“Jo, unë jam në këtë garë për t’u rizgjedhur presidente. Jam e interesuar t’i ndihmoj LDK-së të ngritet. Ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe pas 7 qershorit”, u shpreh Osmani.

Ajo shtoi se mbështetja nga qytetarët dhe pritja në terren janë për të një motiv i madh për të vazhduar angazhimin politik.

“Jam e befasuar për mirë. Ka qenë një prej pritjeve më të mira politike që kam pasur në 27 vite. Jam plot shpresë dhe motiv, dhe do të jem bashkë me ta”, tha ajo.


Osmani: LDK do të jetë më e fortë se kurrë

Vjosa Osmani në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se LDK synon të dalë forcë e parë në zgjedhje, duke theksuar se qytetarët duhet t’i japin besimin për ndryshim dhe forcim institucional.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë më e fortë se kurrë. Po punojmë që të dalim të parët. Shpresojmë që qytetarët të na japin besimin. Fjalët nuk i zgjidhin problemet e qytetarëve, na duhen institucione”, u shpreh Osmani.


Osmani: E kam mbrojtur dhe arsyetuar qeverinë e Kosovës ndërkombëtarisht

Vjosa Osmani në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se është e pavërtetë të thuhet se ajo ka dëmtuar ndërkombëtarisht qeverinë e Kosovës, duke theksuar se sipas saj realiteti është krejt i kundërt.

Në një deklarim publik, ajo tha se shumica e angazhimit të saj politik në arenën ndërkombëtare ka qenë në funksion të mbrojtjes dhe promovimit të interesit të Kosovës, përfshirë edhe raste kur nuk ka pasur pajtim të plotë institucional.

“Shpifje e rëndë të thuhet se unë e kam goditur ndërkombëtarisht qeverinë e Kosovës, por është e kundërta. Mbi 80% të aktivitetit tim politik ndërkombëtarisht më ka shkuar duke e mbrojtur qeverinë e Kosovës dhe duke e arsyetuar edhe në raste kur nuk kemi qenë dakord”, u shpreh Osmani.

Ajo shtoi se kjo qasje, sipas saj, ka qenë e qëllimshme për të mbrojtur interesin shtetëror të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Osmani tha se qytetarët e kanë parë qartë punën e institucioneve në pesë vitet e fundit dhe përballjen me Serbinë në proceset ndërkombëtare.

“Qytetarët e Kosovës e kanë parë si jemi përballur me Serbinë. Ne kemi hapur dyer që kanë qenë të mbyllura për Kosovën dhe kemi dalë ballëhapur para qytetarëve, sepse oferta jonë është e qartë: ta çojmë vendin përpara, jo ta përçajmë”, tha ajo.

Ajo theksoi se, sipas saj, armiku i vetëm për Kosovën mbetet Serbia dhe jo faktorët e brendshëm.


“Rikthimi im si presidente varet nga vota dhe konsensusi politik”

Vjosa Osmani në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se mundësia që ajo të jetë prap presidnete varet nga vota e qytetarëve dhe nga arritja e konsensusit ndërmjet partive politike, duke theksuar se ky proces duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës.

Osmani tha se sa më e madhe të jetë përkrahja politike dhe qytetare, aq më shpejt mund të konstituohet institucioni i presidentit dhe të formohet qeveria e re.

“Do të varet nga vota e qytetarëve të Kosovës. Sa më e madhe përkrahja e qytetarëve, aq më shpejt do ta kemi presidentin e Kosovës, dhe pastaj qeverinë e Kosovës që duhet të jetë qeveri me koalicione”, tha Osmani.

Ajo shtoi se presidenti duhet të jetë figurë konsensuale, përtej ndasive partiake dhe ngjyrimeve politike.

“Presidenti konsensual nuk është partiak. Konsensusi nënkupton pajtim mes partive, pajtim me votat e të gjithë deputetëve të Kosovës”, u shpreh ajo.

A do ta ketë mbështetjen e Albin Kurtit për presidente, Vjosa Osmani: Kurti ka dy zgjedhje para vetes…

Vjosa Osmani ka deklaruar se sa i përket votave të VV-së për të si presidente, varen nga vendimet që do të marrë Albin Kurti, duke theksuar se ai përballet me dy rrugë të mundshme,  vazhdimin e stabilitetit institucional ose futjen e vendit në kriza të njëpasnjëshme politike.

“Kurti do të duhej të zgjedhë mes dhënies së një shansi Republikës së Kosovës që të ketë vazhdimësi të punëve, ose nëse ai dëshiron ta çojë Kosovën në kriza të njëpasnjëshme zgjedhore”, u shpreh Osmani.


Osmani i reagon Kurtit: Nëse kisha dashur pushtet do të garoja për kryeministre

Vjosa Osmani në ”Click” të RTV21 i ka reaguar Albin Kurtit i cili ka deklaruar se sjo ka  ambicie politike. Osmani tha se roli i presidentit nuk lidhet me pushtetin ekzekutiv, por me balancimin institucional dhe funksionimin demokratik të shtetit.

Ajo tha se presidenca është institucion që ruan ekuilibrin e pushteteve dhe ndërhyn kur është e nevojshme për të korrigjuar gabime institucionale.

“Institucioni i presidencës nuk do pushtet. Është shtylla që e mban balancën e pushteteve të tjera, e ruan demokracinë në kohë të rënda dhe siguron që kur të tjerët bëjnë gabime, ato të përmirësohen”, tha Osmani.

Ajo shtoi se, nëse do të kishte synim pushtetin ekzekutiv, do të kishte garuar për postin e kryeministres.

“Nëse do të doja pushtet, do të kandidoja për kryeministre. Jam e bindur që ka qenë vullnet i popullit që unë të jem presidente”, u shpreh ajo.

Duke iu përgjigjur deklarimeve të Albin Kurti, Osmani tha:“Kurti mund të mendojë që është autoritet për interpretimin e Kushtetutës, por nuk është, është Gjykata Kushtetuese. Unë kam marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës dhe e di shumë mirë çfarë po flas. Institucioni i presidencës e mban balancën, këtë e kam bërë”.


”Kemi kaluar shumë sfida…”,Osmani thotë se bashkimi me LDK-në erdhi ”natyrshëm”

Vjosa Osmani në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se rikthimi i saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës është një hap i natyrshëm dhe i dobishëm për skenën politike në Kosovë, duke theksuar se synimi i saj është stabiliteti dhe balanca mes subjekteve politike.

Ajo tha se bashkimi i saj me LDK-në vjen pas një periudhe sfidash politike, të cilat sipas saj tashmë janë tejkaluar.

“Mendoj që bashkimi im me LDK i sjell vetëm të mira skenës politike, sepse sjell më shumë stabilitet, demokraci dhe sjell balanc mes subjekteve politik. Ka qenë krejt i natyrshëm bashkimi im me LDK, vendi ku i kam 22 vite të karrierës politike”, tha Osmani.

Ajo shtoi se sfidat që kanë ndarë më herët palët tashmë i përkasin së kaluarës dhe nuk duhet të përcaktojnë të ardhmen politike.

“Në këto vite kemi kaluar shumë sfida që tashmë janë tejkaluar për shkak të lidershipit të ri dhe qasjes së re. Këto nuk janë gjëra që determinojnë karrierën time politike”, u shpreh ajo.

Osmani theksoi se ndihet e përmbushur me karrierën e saj politike, përfshirë edhe detyrën si presidente, dhe se nuk e sheh pozitën si qëllim përfundimtar.

“Unë kam qenë presidente dhe ndihem e përmbushur për karrierën time politike, nuk më duhet diçka më e lartë. Arsyeja e vetme pse jam në këtë garë është që Kosovës t’i jepet një shans për balanc. Edhe nëse kontributi im është i vogël, do të jem e lumtur – nuk ka rëndësi ku do jem pas kësaj”, tha ajo.


”Mendimi ndryshe nuk është tradhti” Osmani për Kurtin

Vjosa Osmani në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se aktualisht në qeverinë e Kosovës ekziston një tendencë për kontroll të tepërt, jo vetëm të institucioneve por edhe të mendimeve, gjë që sipas saj e dëmton demokracinë dhe pluralizmin politik në Kosovë.

“Tendencë për të kontrolluar gjithçka… nuk është vetëm kontroll i institucioneve, por edhe kontroll i mendimeve. Kur një mendim ndryshe shihet si katastrofë apo tradhti, atëherë nuk je institucion demokratik, por institucion i nënshtruar edhe në mendime”, tha Osmani.

Ajo shtoi se qytetarët janë faktori kryesor që permes votës duhet të ruajnë balancën demokratike dhe të përcjellin mesazhin e duhur tek liderët politikë, duke kërkuar më shumë bashkëpunim dhe më pak përçarje.

“Qytetari është ai që krijon balancën demokratike, ai që siguron që mesazhi i duhur t’i jepet secilit lider dhe që u tregon atyre se kontrolli i gjithçkaje e çon vendin në humnerë. Kosovës nuk i ka hije kontrolli total, por vetëm demokracia”, u shpreh ajo.

Osmani solli në vëmendje edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova, duke theksuar se ai e ka promovuar pluralizmin politik edhe në kohë okupimi.

“Rugova i thoshte qytetarëve dilni votoni edhe partitë tjera, sepse na duhet pluralizmi politik. Ai i ka dhënë politikës në Kosovë dimension human, jo dehumanizim të kundërshtarit”, tha Osmani.

Ajo theksoi se, pavarësisht dallimeve politike me figura si Albin Kurti, Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj, vendi nuk duhet të rrëshqasë në ndasi dhe përçarje politike që dëmtojnë shoqërinë.


Osmani i përgjigjet “shpifësve”: Do të përballemi në gjykata

Osmani tutje ka reaguar edhe ndaj përdorimit të një termi ofendues ndaj saj nga Glauk Konjufca, duke e cilësuar si pjesë të një gjuhe të papranueshme politike.

Ajo tha se prej kohësh është përballur me sulme të rënda dhe etiketime që, sipas saj, kanë degraduar debatin publik në Kosovë.

Osmani shtoi se përpjekjet për ta diskredituar përmes fyerjeve nuk do ta ndalin angazhimin e saj politik dhe institucional, duke paralajmëruar se çështjet do t’i ndjekë edhe në rrugë ligjore.

“Kjo është një gjuhë që aktivistët e VV-së e kanë përdorur kundër meje për një kohë të gjatë dhe jo vetëm. Gjëra më të ndyra, më të tmerrshme dhe çnjerëzore që i kam përjetuar gjatë gjithë jetës time janë pikërisht këto që kam parë. Dy vajzat e mia i zgjohen në mëngjes me fyerjet më të rënda, me foto të rënda të krijuara me AI kundër nënës së tyre, që është shumë e rëndë për një fëmijë të shohë për nënën e vet”, tha Osmani.


Osmani: Nuk ka shenja për bashkëpunim me Kurtin, vetëm njollosje çnjerëzore

”Janë ata që e kanë shkatërruar bashkëpunimin”, Osmani

Kandidatja e LDK-së për presidente Vjosa Osmani gjatë intervistes së saj në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se ka bërë thirrje për bashkëpunim politik me Albin Kurti, por sipas saj, nga pala tjetër nuk ka pasur gatishmëri për të vazhduar këtë frymë.

Sipas saj, si kundërpergjigje ka marrë sulme dhe etiketime të rënda, të cilat, sipas saj, kanë degraduar debatin politik.

“Thirrja ime është për bashkëpunim. Sa do ta gjejmë atë nga pala tjetër nuk dihet, sepse deri tani nuk ka pasur shenja. Kemi parë vetëm njollosje të përmasave çnjerëzore dhe krahasime me kafshë, një deformim total të debatit politik”, deklaroi Osmani.

Ajo tha se shumica e sulmeve kanë qenë të drejtuara ndaj saj, duke shtuar se janë pikërisht VV-ja  që kanë vendosur të mos e mbështesin për një mandat tjetër.

“Unë kam dashur që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të punojmë së bashku për ta fuqizuar Kosovën, por kjo është rruga që ata kanë zgjedhur, janë ata që e kanë shkatërruar bashkëpunimin”, u shpreh ajo.

Osmani theksoi se synimi i saj dhe i kandidatëve në listën e Lidhja Demokratike e Kosovës është t’i japin fund ndarjeve mes shqiptarëve, të cilat, sipas saj, po i shkaktojnë dëme vendit.


Osmani: Askush nuk do t’i ketë 80 vota, bashkëpunimi është i pashmangshëm

Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se bashkëpunimi me të gjitha partitë politike, përfshirë edhe Albin Kurtin dhe subjektin e tij politik, është i domosdoshëm për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve.

Në një intervistë për emisionin “Click” në RTV21, Osmani tha se asnjë parti nuk do t’i ketë e vetme 80 votat e nevojshme, prandaj komunikimi dhe bashkëpunimi politik janë të pashmangshëm.

“Natyrisht që ne e shohim bashkëpunimin me të gjitha partitë politike, sepse është e domosdoshme për të arritur kuorumin dhe 80 votat. Askush nuk do t’i ketë 80 vota pas këtyre zgjedhjeve”, deklaroi ajo.

Osmani kritikoi atë që e quajti fushatë linçuese dhe propagandistike ndaj saj nga partia në pushtet, por theksoi se interesat e shtetit duhet të vendosen mbi dallimet politike.

“Ne duhet ta vendosim Republikën mbi gjithçka tjetër dhe të gjejmë rrugët e bashkëpunimit që na çojnë drejt ndërtimit të institucioneve, jo rrënimit të tyre”, u shpreh Osmani.

Ajo bëri thirrje për largim nga, siç tha, logjika e dhunës, përçarjes dhe etiketimit politik, duke kërkuar më shumë dialog dhe bashkëpunim në funksion të interesit të vendit.

“Duhet t’i japim fund logjikës së grushteve, sharjeve dhe përçarjeve. Kur ulemi si njerëz, diskutojmë dhe bashkëpunojmë për të mirën e vendit tonë”, tha Osmani.


Osmani: Presidenti duhet të jetë “zjarrfikës” në politikë

Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, në ”Click” të RTV21 ka folur për rolin dhe kompetencat e presidentit, duke e krahasuar pozitën me një “zjarrfikës” në politikë, që ndërhyn për të shmangur krizat dhe tensionet institucionale.

Osmani tha se institucioni i presidentit ka kompetenca të rëndësishme kushtetuese dhe nuk është vetëm një rol ceremonial apo vëzhgues.

“Gjithçka në fund shkon në zyrën e presidentit. Presidenti ka për detyrë të konfirmojë ose jo vendime të caktuara dhe të sigurohet që balancat demokratike të ruhen. Në politikën e jashtme ka rol udhëheqës dhe nuk është vetëm observues”, deklaroi Osmani.

Ajo përdori edhe metaforën e “zjarrfikësit” për të përshkruar funksionin e presidentit në skenën politike.

“Në politikë, presidenti duhet të jetë zjarrfikës. Kur të tjerët bëjnë gabime dhe duan ta ndezin zjarrin, detyra e presidentit është të mundohet ta shuajë atë”, u shpreh ajo.

Duke përmendur ish-presidentin Ibrahim Rugova, Osmani tha se Kosova tradicionalisht ka pasur presidentë të fortë që kanë ruajtur unitetin e popullit dhe demokracinë edhe në periudhat më të vështira për vendin.

Sipas saj, ky është roli që ajo synon ta vazhdojë, duke kërkuar besimin e qytetarëve për një presidencë që garanton stabilitet institucional dhe unitet politik.

”Unë nuk kam bërë zhurmë”, Vjosa Osmani: E kemi shansin e fundit për ta rikthyer shtetin

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidente, Vjosa Osmani, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Click” në RTV21, ka folur për akuzat dhe kritikat e drejtuara ndaj saj gjatë fushatës parazgjedhore.

Osmani tha se Kosova ndodhet në një moment vendimtar dhe se qytetarët kanë përgjegjësinë që përmes votës së lirë të rikthejnë balancën demokratike, stabilitetin institucional dhe frymën e bashkëpunimit politik.

“E kemi shansin e fundit si popull, si komb dhe si shtet që përmes votës së lirë ta rikthejmë balancën demokratike, stabilitetin institucional dhe logjikën e bashkëpunimit, ku njerëzit punojnë me njëri-tjetrin dhe nuk shtyhen përpara ndarjet e përçarjet që i bëjnë dëm vendit tonë”, u shpreh Osmani.

Ajo mohoi të ketë nxitur përplasje politike, duke theksuar se reagimet e saj kanë qenë përgjigje ndaj, siç e quajti, një fushate linçuese dhe propagandistike kundër saj.

“Unë zhurmë nuk kam bërë. Ajo që kam thënë ka qenë gjithmonë kundërpërgjigje ndaj një fushate linçuese që ka nisur kundër meje për shkak se e kam kryer detyrën time kushtetuese me nder, përgjegjësi dhe punë në interes të Kosovës”, deklaroi Osmani./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button